Gjykata Themelore e Prishtinës i ka hedhur poshtë aktakuzat për “përgatitje të veprës terroriste” ndaj dy aktivistëve të Partisë Socialdemokrate (PSD), Gëzon Kastratit dhe Korab Korçës, si dhe aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Çlirim Gërbeshit.
Kështu ka bërë të ditur një nga avokatët e të akuzuarve, i cili e ka publikuar aktvendimin.
Në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë thuhet se “dëshmitë (sendet) e mbledhura gjatë kontrollit të depos ‘28 Nëntor’, Prishtinë, me datë 01.09.2016 dhe të gjitha provat tjera që burojnë nga ato dëshmi – raportet dhe ekspertizat, në harmoni me nenin 249 paragraf 3 të Kodit të Procedurës Penale, shpallen prova të papranueshme dhe përjashtohen nga shkresat e lëndës, pasi që të njëjtat nuk janë siguruar në mënyrë të ligjshme nga ana e policisë dhe prokurorisë”.
Në kohën kur ishte ngritur aktakuza, Kastrati kishte thënë se ai dhe të tjerët akuzohen se “kinse kemi përgatitur 648 koktej molotovi që janë ‘gjetur’ në depon e VV-së”./Gazeta Sinjali/