Gjykata Penale e Shkupit të martën e pranoi kërkesën e Prokurorisë Publike për ndërprerjen e procesit gjyqësor për “aferën e përgjimeve”, për shkak të vjetërsimit të lëndës dhe ndryshimeve të reja në Kodin Penal, të cilat parashikojnë lehtësira për një sërë veprash që kanë të bëjnë me shpërdorim të detyrës zyrtare.
Ky vendim nënkupton se do të lihen të lirë ish-drejtori i Policisë Sekrete të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov, dhe pesë ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, të akuzuar për përgjimin e mbi 20 mijë qytetarëve maqedonas, përfshirë politikanë, deputetë, gazetarë, klerikë, opozitarë dhe të tjerë në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2016.
Kjo ishte një nga aferat më të bujshme në Maqedoninë e Veriut dhe ndodhi gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit të arratisur, Nikolla Gruevski.
“Konsideroj se ka bazë për zbatimin e dispozitave më të lehta ligjore që bazohen në ndryshimet e fundit në Kodin Penal dhe propozoj që gjykata të sjellë vendimin e duhur. Ky vendim duhet të ketë parasysh edhe zbatimin efikas të së drejtës materiale mbi vjetërsimin e ndjekjeve penale”, tha prokurorja Lençe Ristovska, kërkesa e së cilës u pranua nga trupi gjykues.
Më 2021, Mijallkovit dhe bashkëpunëtorët e tij u dënuan me gjithsej 55 vjet burgim nga një gjykatë e shkallës së parë pas një procesi të gjatë gjyqësor që kishte nisur më 2017 dhe pasi dëgjimit të 200 dëshmitarëve.
Por, më 2022, Gjykata e Apelit e shfuqizoi dënimin e tyre me arsyetimin se kishte “lëshime procedurale gjatë gjykimit në shkallën e parë” dhe rastin u ktheu në rigjykim.
Afera e përgjimeve u publikua në vitin 2015 nga Zoran Zaev, lideri i atëhershëm i Lidhjes Social Demokrate dhe nga viti 2017 kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Kjo aferë kishte shkaktuar protesta e tensione të shumta në Maqedoninë e Veriut që çuan në rrëzimin e Nikolla Gruevskit nga pushteti dhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. /REL/