image Gjykata e Gjilanit ofroi 'ekspres' drejtësi për inspektorët e arrestuar, dyshime për anshmëri

Sinjalizime

Gjykata e Gjilanit ofroi ‘ekspres’ drejtësi për inspektorët e arrestuar, dyshime për anshmëri

news image

Policia e Gjilanit më 15 gusht ka arrestuar 5 inspektorë komunalë, me dyshimin se të njëjtit kanë bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare, respektivisht nuk kanë përmbushur detyrat e tyre si dhe kanë falsifikuar raportin zyrtar, shkruan Gazeta Sinjali.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.

Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjilan ka parashtuar kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, duke pretenduar se inspektorët e arrestuar kanë konsumuar veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar dhe se masa e arrestit shtëpiak është e vetmja masë e cila siguron prezencën e tyre të mëtutjeshme në procedurë, si dhe siguron mosndërhyrje në provat që do të sigurohen.

Por, përkundër arsyetimit të dhënë nga Prokuroria në kërkesën me shkrim dhe në seancën dëgjimore, kjo kërkesë është refuzuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për të caktuar këtë masë ndaj të pandehurve.

Të dyshuarit, si rrallë herë më parë janë liruar në një afat rekord, për më pak se 24 orë nga arrestimi i tyre dhe ndaj tyre nuk është shqiptuar asnjë masë sigurie.

Sinjalizues të Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se në mesin e inspektorëve të arrestuar ka qenë edhe djali i një gjyqtari të Gjykatës Themelore në Gjilan, ( emër i njohur për redaksinë), i cili sipas tyre është bërë sebep që çdo gjë të trajtohet me shpejtësinë e dritës dhe lirimi i tyre të bëhet pa ndonjë vështirësi apo vonesë.

Mirëpo, për sinjalizuesit trajtimi i kësaj çështje në Gjykatën Themelore në Gjilan ka qenë i ndikuar, duke qenë se së paku njëri nga të pandehurit është djali i gjyqtarit të kësaj Gjykate.

Dyshimin për mungesë objektiviteti dhe paanshmërie të Gjykatës, sinjalizuesit e mbështesin në faktin se në rastin konkret provat e dorëzuara në mbështjetje të dyshimit të bazuar ishin mjaft kredibile dhe se ndaj të pandehurve nuk u shqiptua asnjë masë, përkundër që në raste të ngjajshme Gjykata ka vepruar tërsisht ndryshe.

Gazeta Sinjali ka raportuar të shtunën se inspektorët komunalë janë arrestuar pas një aksioni të madh kontrolli në lokalet e gastronomisë në Gjilan.

/GazetaSinjali/