Sipas vendimit të gjykatës, duhet të pritet edhe disa vjet që djaloshi të vendosë vetë nëse do t’i bëhet rrethprerja ose jo.
Një grua myslimane në Kantonin e Cyrihut, nënë e një djali 10-vjeçar, dëshironte që me çdo kusht “ta bënte synet” të birin. Por pasi “viktima” kishte frikë të jashtëzakonshme nga injeksionet dhe ndërhryjet mjekësore në përgjithësi, Gjykata e Lartë (Kantonale) e Cyrihut ka vendosur që ai të mos i nënshtrohet kësaj ndërhyrjeje, shkruan sda.ch.
Ndonëse parimisht prindërit kanë të drejtë të vendosin për edukimin fetar të fëmijëve të tyre, këtë duhet ta bëjnë vetëm duke pasur parasysh që të mos rrezikohet mirëqenia e fëmijës.
Ekzistimin e një rrezikimi të tillë gjykata e ka konstatuar te rasti i djalit 10-vjeçar i cili duhej të bëhej synet. Ai në të kaluarën ka reaguar me panik nga ndërhyrjet mjekësore, transmeton albinfo.ch. Nga ky shkak është dashur t`i ndërpritej përshtatja e protezës së dhëmbëve. Madje, duke reaguar kundër ndërhyrjes, ai kishte dëmtuar mobilet e ordinancës së dhëmbëve.
Një psikiatër i fëmijëve është cituar në vendimin gjyqësor sipas të cilit duhet të hiqet dorë nga ndërhyrjet mjekësore që nuk janë të domosdoshme. Kjo do të ishte një ngarkesë e papërballueshme për të. Kështu, gjykata e ka miratuar këtë vlerësim profesional dhe i ka ndaluar nënës ta bëjë synet të birin.
Si shkak që ky rast të procesohet në gjyq ka shërbyer thënia e nënës së vogëlushit në pranverën e vitit 2017 se ajo do ta bënte synet të birin në pushimet verore. Ajo e kishte arsyetuar këtë me faktin se vonesa mund të ishte e dëmshme për zhvillimin e mëtejmë të djalit dhe veç kësaj, ai do të ngacmohej nga fëmijët tjerë myslimanë.
Në vendimin gjyqësor të publikuar nuk mund të kuptohet se nga cili vend e ka prejardhjen familja në fjalë. Djali jeton prej disa vitesh në një shtëpi të fëmijëve ndërsa prindërit e tij janë të ndarë.
Kundër rrethprerjes së djaloshit janë shprehur edhe në këshillin mbikëqyrës për fëmijë. Pas kësaj e ëma është ankuar në Gjykatën e Lartë, duke thënë se po diskriminohej. Ndërsa kjo gjykatë tashmë e ka hedhur poshtë ankesën. Sipas vendimit të gjykatës në fjalë duhet të pritet edhe disa vite që djaloshi të vendosë vetë nëse do t`i bëhet rrethprerja ose jo. Vendimi është i plotfuqishëm.