Ministrit të Arsimit të Serbisë, Mladen Sharçeviq, i është ndaluar hyrja në Kosovë, gjatë ditës së djeshme.
Ndaj këtij veprimi të autoriteteve të Kosovës, ka reaguar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Gjuriq ka deklaruar se Kosova ka “shkelur në mënyrën më të vrazhdë dhe më të pamëshirshme marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel”, shkruan Danas.
Përmes një komunikate, Gjuriq ka thënë se Kosova “edhe njëherë ka goditur themelet e procesit të normalizimit të marrëdhënieve”.
“Kosova ka shfaqur publikisht para botës sesi i trajton marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE-së dhe dialogun me Serbinë. Shkelja e fundit e marrëveshjes për vizitat e zyrtarëve, marrëveshja për lëvizjen e lirë dhe menaxhimi i integruar është një pikë në oqeanin e përmbytjes me të cilën Kosova ka penguar dialogun e Brukselit tash e disa vite”, ka thënë Gjuriq.
Ai shtoi se “veprimet e njëanshme të Kosovës janë një kërcënim i madh për stabilitetin politik në rajon” dhe “është koha që BE-ja si ndërmjetësues i dialogut dhe garantues i zbatimit të marrëveshjes të reagojë më fuqishëm për të ndaluar këto sjellje”. /Gazeta Sinjali/