Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Marko Gjuriq ka deklaruar se nuk do të ketë kurrfarë marrëveshje përderisa Kosova nuk e përmbush në tërësi marrëveshjen rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Reagimi i tij ka ardhur pasi që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Prishtina do ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Beogradin.
“Çfarëdo kushtëzimi i asaj për të cilën është arritur marrëveshje në Bruksel ia humb kuptimin tërë procesit negociator dhe na largon prej çfarëdo marrëveshjeje të re”, ka theksuar Gjuriqi përmes një njoftimi për shtyp.
Më tej, ai ka vazhduar akuzat e rënda ndaj kryeministrit Hoti, duke thënë se ai duhet “menjëherë ta ndalë fushatën e gënjeshtrave rreth përmbajtjes së bisedimeve, pasi që rrena e përsëritur qindra herë nuk mund ta ndërrojë faktin se Kosova e vetëshpallur nuk është shtet”. /Gazeta Sinjali/