Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pas njoftimit të Miroslav Lajçak, se nesër mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel do të diskutohet për pretendimet e përbashkëta financiare dhe komunitetet jo-shumicë, tha se tema e parë në këtë takim do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Gjuriq shkroi në Twitter se për këtë temë është rënë dakord para shtatë vitesh nën lehtësimin e BE-së, transmeton Gazeta Sinjali.
“Faleminderit për mikpritjen. Tema e parë në rendin e ditës nesër do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Të paktën për palën serbe. Për këtë u ra dakord nën lehtësimin e BE-së shtatë vite e gjysmë më parë” shkroi ai.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para Akademisë së Shkencave dhe Artit të Kosovës ka konfirmuar se do t’i rikthehet Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Unë besoj që tregojmë seriozitetin shtetëror kur i respektojmë marrëveshjet që i kemi nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”.
Në vitin 2015, asociacioni ishte shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese në shtatë kapitujt e tij.