Drejtori i të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq ka deklaruar sot se askush nuk mund ta detyrojë Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai tha për Prva TV se Beogradi do të bënte çmos për të qenë një mikpritës i mirë i emisarit të Bashikimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili arrin sot në Prishtinë.
Lajçak do ta vizitojë Kosovën nga sot, 15 qershor deri më datën 18 qershor.
Kjo do të jetë vizita e parë e tij prej se e ka marrë detyrën e përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd.
Në Kosovë, Lajçak do të takohet me udhëheqjen politike, përfaqësuesit e partive politike dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, si dhe krerët e misioneve të vendeve anëtare të BE-së. PPBE-ja planifikon të diskutojë kushtet dhe modalitetet për një rifillim të shpejtë të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit, njofton Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë./Gazeta Sinjali/