Në orët e para të mëngjesit të sotëm është shtënë me armë zjarri në një kafiteri në Xërxë të Rahovecit. Plumbat janë shkrepur si pasojë e një mosmarrëveshje mes disa personave, merr vesh Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë rajonale në Gjakovë, Lirije Podrimaj. Ajo tha se lidhur me rastin janë arrestuar tre persona të dyshuar ndërsa njëri ndodhet në arrati.
“Patrullat policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes ku janë informuar se në një kafiteri pas një mosmarrëveshje në mes të disa personave kishte pas edhe të shtëna me armë zjarri. Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar lidhur me rastin, ndërsa një person gjendet në arrati. Policia është në kërkim të personit të katërt të involvuar në rast”, tha Podrimaj për Gazetën Sinjali.
Me urdhër të prokurorit të shtetit personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje.
‘Rasti po hetohet nga Sektori i Hetimeve të stacionit policor Rahovec’, tha Podrimaj.
Policia ka konfirmuar se nga të shtënat me armë zjarri nuk ka persona të lënduar. /Gazeta Sinjali/