image Gjon Muharremaj flet pas fitores në Eurovision: Doja t’iu tregoja të gjithëve se mund ta bëj - Sinjali

Gjon Muharremaj flet pas fitores në Eurovision: Doja t’iu tregoja të gjithëve se mund ta bëj

news image

Shqiptari Gjon Muharremaj ia siguroi Zvicrës vendin e tretë në edicionin e sivjetmë të Eurovisionit.

Gjoni fillimisht ishte në vendin e parë me 267 pikë, mirëpo në fund votat e publikut ndryshuan matematikat, duke e lartësuar Italinë në krye të tabelës.

Megjithatë, 22-vjeçari nga Fribourgu nuk ka arsye për trishtim.

“Jam shumë i lumtur që kam arritur vendin e tretë dhe kam marr një vlerësim të tillë, sidomos nga juria”, tha ai pas finales në një intervistë për SRF.

Gjoni mori pikët maksimale të jurisë.

“Të them të drejtën, kishim probleme teknike më parë. Por ne ishim në gjendje ta zgjidhnim atë, në mënyrë që të mund të jepnim më të mirën në finale. Doja t’u tregoja të gjithëve se mund ta bëj. Për mua, votimi i jurisë do të thotë që unë kam diçka të veçantë”, shtoi ai.

Bashkë me votat që mori nga publiku, Gjoni mblodhi gjithsej 437 pikë me baladën e tij “Tout l’univers”, që është një nga rezultatet më të mira që Zvicra ka arritur ndonjëherë në Eurovision.

“Është çmenduri dhe jam mbingarkuar, sepse nuk e prisja. Gjithmonë ishte një ëndërr e madhe, tani është realizuar”, tha Gjoni, pasi fitoi vendin e tretë, përcjell albinfo.ch.

Para dhe pas performancës së tij, ai ndau ngazëllimin me pjesëmarrësit e tjerë, derisa ai pranon: “Unë brohorisja në çdo shfaqje sepse të gjithë kishin diçka shumë të veçantë” – dhe shton: “Është thjesht çështje shijeje. Të jesh fitues nuk do të thotë të jesh më i miri, por më i njohuri”./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin