Që nga 18 maji, masat lehtësuese kanë filluar të aplikohen në Kosovë, në mesin e tyre është hapur edhe gastronomia.
Mirëpo, shërbimi nëpër kafiteritë do të bëhet vetëm “Merr me vete” apo “Take Away”, shkruan Gazeta Sinjali.
Por, pronarët e kafiterive duhet t’i përmbahen rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë, duke mos lejuar grumbullimin e qytetarëve, si dhe të mos lejohet hyrja në kafiter, por vetëm jashtë lokalit.
Disa nga kafiteritë po i respektojnë këto rregulla, por disa të tjerë jo, ku si pasojë Policia e Kosovës ka intervenuar në disa raste, duke arrestuar pronarët e dy lokaleve në Mitrovicë.
Në ditën e parë të aplikimit të masave lehtësuse një person është arrestuar nga Policia në Mitrovicë, pasi që i njëjti kishte hapur lokalin e tij ku qëndronin 14 persona.
Po ashtu, personave u janë shqiptuar gjoba nga inspektorët komunal.
Drejtoria e Inspekcionit nga inspektimet rutinore gjatë punës së tyre zyrtare, më 20 maj kanë mbyllur një lokal në sheshin e Mitrovicës, pasi që nuk ka respektuar vendimin nga Qeveria e Kosovës.
Faza e dytë e lehtësimit të masave parasheh që kafiteritë të ofrojnë shërbime “merr me vete”, ndërsa ky lokal u ka mundësuar qytetarëve të qëndrojnë në ulëset e lokalit.
Po ashtu, pronarit të lokalit iu është shqiptuar edhe gjoba.
Frekuentimi i qytetarëve pas lehtësimit të masave, e në veçanti në ditën e Fitër Bajrami ishte i madh.
Shumë qytetarë të Vushtrrisë në orët e mbrëmjes kanë frekuentuar sheshin e Vushtrrisë.
Që nga lehtësimi i masave, numri i rasteve të reja kanë rënë dukshëm, anipse frekuentimi i qytetarëve neper sheshe dhe marekte është i madh.
Deri tani në Kosovë janë shënuar gjithsej 1 mijë e 47 raste të konfirmuara me Covid-19, ndërsa 794 janë shëruar dhe 223 raste janë active.
Fotografitë e publikuara janë nga qyteti i Vushtrrisë dhe Pejës./Gazeta Sinjali/