Në Kosovë edhe më tej vazhdojnë të shiten mallra apo produkte të ndryshme, të cilave u mungon deklaracioni në gjuhën shqipe. E për këtë vetëm gjatë këtij viti janë shqiptuar 74 gjoba për operatorët ekonomik.
Organizatat të cilat mbrojnë të drejtat e konsumatorëve thonë se mosdeklarimi i mallrave me përbërje në gjuhën shqipe, rrezikon shëndetin e kosovarëve nga konsumimi i këtyre produkteve të importuara.
Edhe pse kjo çështje është e rregulluar me “Ligjin për Konsumatorët” dhe me Kushtetutë, shumë prej produkteve ushqimore dhe të medikamenteve në tregun dhe dyqanet në Kosovë nuk kanë përmbajtje në gjuhën shqipe.
Një gjë të tillë e thotë edhe vetë kryeinspektori në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Lulëzim Syla sipas të cilët inspektorët sa herë që hasin në mallra pa deklaracion në gjuhën shqipe, ndërmarrin masa ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomikë.
“Gjatë këtij viti kemi 74 gjoba, të cilat i kemi gjobitur, gjithmonë thirrem në atë ku konsumatorët janë ankuar dhe ne ku kemi hasur. Mirëpo ne si MTI, gjegjësisht si Inspektoriat bashkëpunojmë shumë edhe me Doganën e Kosovës, ku produktet të cilat hyjnë në tregun e Kosovës, ndalen në Doganë ato të cilat nuk e kanë në gjuhën shqipe deklaracionin”, deklaron Syla.
Një gjë e tillë, sipas tij ndodhë edhe si shkak i neglizhencës së vetë operatorëve ekonomik.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë se ky institucion gjatë gjithë kohës ushtron kontrolle jo saktësisht për deklaracionin e mallrave, por për të ditur sasinë, vlerën dhe numrin tarifor të produkteve të cilat janë në proces të zhdoganimit.
“Deklaracioni i mallit tek dogana kontrollohet tek dokumentet, por jo tek secili produkt, për arsyeje se është e pamundur që të kontrollohen 10 mijë paketime të të njëjtit produkt gjatë procedurës së importit. Duhet të kemi parasysh që Dogana nuk ka kapacitetet njerëzore, por edhe të kishte, do të ishte prapë e pamundur. Por ne i kontrollojmë në bazë të mostrave, dhe sa herë që kemi pasur këto raste, kanë qenë disa raste që ne i kemi lajmëruar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, thotë Stavileci.
Vetëm gjatë këtij viti, Stavileci thotë se kanë hasur në dhjetë raste.
“Afër dhjetë raste kanë qenë gjatë kësaj periudhe në të cilat ne kemi hasur në produktet në të cilat në bazë të konstatimeve të oficerëve doganorë nuk ka pasur deklaracione në rregull”, shton Stavileci.
Mungesa edeklaracioneve në gjuhën shqipe te produktet e ndryshme për Selatin Kaçanikun nga Organizata Joqeveritare “Konsumatori”, mund të ketë pasojë në shëndet te konsumatorët.
Një gjë e tillë sipas tij po bëhet qëllimisht nga vetë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
“ Jemi përpjekur që të kontaktojmë me Doganën, sepse ajo është kompetente në kufi për të penguar çdo import, të cilit do produkt-mallë, pa deklaracione ose me deklaracione gjysmake por ja që kjo nuk ndodhë. Kjo është gati tragjike, nëse kemi parasysh edhe faktin se ne kemi edhe produkte farmaceutike, të cilat nuk kanë deklaracion në gjuhën e qytetarëve, të konsumatorëve. Kjo është një mangësi jashtëzakonisht e madhe, një problem shumë i madh, i cili nuk po ndiqet sa duhet qoftë nga Dogana e Kosovës, Inspeksioni i Tregut, qoftë nga rregullatorët e tjerë”, thotë Kaçaniku.
Në vitin 2013 ka hyrë në fuqi rregullorja e re që parasheh se mandatin për të kontrolluar deklaracionin e produkteve ushqimore duhet të ketë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
E sipas nenit 16 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, deklaracioni është i obligueshëm në gjuhën zyrtare.
“16.1. Gjatë shitjes së mallit, tregtari duhet t’ia japë konsumatorit dokumentacionin e paraparë nga prodhuesi, për t’i siguruar konsumatorit informacionin e duhur për përdorim.
16.2. Dokumentacioni nga pika 1 e këtij neni duhet të jetë i shkruar qartë, dukshëm dhe i lexueshëm në gjuhën zyrtare. Ligji nuk e përjashton mundësinë e përdorimit të gjuhëve të tjera dhe shenjave që janë të kuptueshme për blerësin”, thuhet në nenin e 16 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit./Gazeta Sinjali/