image Gjithçka që dihet për 95 mijë dozat e vaksinës Pfizer/BioNTech që BE pritet të ia dhurojë Kosovës

Shëndetësi

Gjithçka që dihet për 95 mijë dozat e vaksinës Pfizer/BioNTech që BE pritet të ia dhurojë Kosovës

news image

Kosova gjatë këtij muaji pritet të pranojë 95 mijë doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, të cilat janë donacion nga Bashkimi Evropian.

Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se shpërndarja e dozave të para në vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhet “brenda një apo dy javësh” dhe do të vazhdojnë deri në fund të muajit.

BE-ja ka siguruar një sasi prej 651,000 dozash të vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Bosnjë dhe Hercegovina do të përfitojë numrin më të madh të dozave, përkatësisht 214,000. Pastaj vjen Shqipëria me 145,000 doza, Maqedonia e Veriut do të marrë 119,000 doza, Mali i Zi 42,000 doza, ndërkaq, një numër më i vogël dozash BE-ja do të dërgojë në Serbi, shtet ky që ka avancuar më shumë sa i përket fushatës së vaksinimit.

Sipas komisionerit evropian, këto vaksina të siguruara nga BE-ja do t’u dedikohen punëtorëve shëndetësorë dhe punëtorëve që janë “në vijën e parë të frontit në betejën kundër pandemisë”.

Ai tregoi se bisedat me partnerët nga Ballkani Perëndimor kanë definuar nevojat dhe në bazë të kësaj, sipas Varhelyt, janë caktuar se sa doza do të shkojnë në secilin shtet.

“Kemi një plan shumë preciz të shpërndarjes së vaksinave, me afate të sakta kohore. Nga këto kontrata është e qartë se ku duhet të shkojnë vaksinat”, tha Varhely kur u pyet nëse ka kufizime se për cilën kategori mund të përdoren këto vaksina. Ai shtoi se me këtë sasi të vaksinave, vendet e Ballkanit Perëndimor, do të mund të vaksinojnë në tërësi grupet me prioritet.

Sipas këtij zyrtari të lartë të BE-së, marrëveshjet për vaksina janë pjesa më e rëndësishme e ndihmës që blloku evropian po u jep vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi më parë i ka ndihmuar edhe në sigurimin e pajisjeve mjekësore, por edhe në përgatitjen e logjistikës për fushatën e vaksinimit.

Varhely falënderoi kompaninë amerikane, Pfizer dhe atë gjermane, BioNTech, për sigurimin e këtyre vaksinave, duke thënë se këto dy kompani, deri më tani, kanë dëshmuar se janë partnerët më të besueshëm të BE-së në procesin e vaksinimit.

Të gjitha shtetet e rajonit kanë kontrata me Pfizer/BioNTech për sigurimin e vaksinave, por vaksinat që do t’u shpërndahen vendeve të Ballkanit do t’i paguajë BE-ja përmes Austrisë, që është vend anëtar i bllokut evropian.

Këto vaksina do të paguhen nga fondi 70 milionësh që BE-ja ka ndarë për ndihmë ndaj Ballkanit Perëndimor. Blloku evropian thotë se kjo është vetëm një pjesë e ndihmës, teksa thotë se do të vazhdojë përpjekjet që të sigurojë vaksina të tjera në të ardhmen.

BE-ja rikujtoi që këto vaksina nuk janë nga programi COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksinat në vendet e varfra.

Në fund të marsit, Kosova ka nisur procesin e vaksinimit me 24,000 dozat e kompanisë AstraZeneca, të cilat i ka marrë falas përmes programit COVAX.

/GazetaSinjali/