image Gjermania zgjat izolimin, por lehtëson këto masa antiCOVID

Evropë

Gjermania zgjat izolimin, por lehtëson këto masa antiCOVID

news image

Gjermania do t’i zgjasë masat e izolimit nga koronavirusi deri më 28 mars, por do t’i lejojë dyqanet jothelbësore dhe bizneset e tjera të rihapen në zonat me norma relativisht të ulëta të infeksionit.

Kancelarja Angela Merkel dhe guvernatorët e 16 landeve u morën vesh të mërkurën për masat e reja, pas 9 orë bisedime.

Derisa rregullat e izolimit aktual do të zgjasnin deri të dielën, Merkel u zotua se “pranvera e vitit 2021 do të jetë ndryshe nga pranvera e një viti më parë”.

“Duhet të bëjmë hapa drejt hapjes, por në të njëjtën kohë, hapa që nuk na kthejnë prapa. Ka shumë shembuj në Evropë për një valë të tretë dramatike”, tha ajo para gazetarëve në Berlin.

Gjermania ka regjistruar në total mbi 2.4 milionë raste me koronavirus dhe mbi 71,000 viktima.

Shumica e dyqaneve atje janë të mbyllura qysh më 16 dhjetor. Restorantet, baret dhe objektet sportive janë mbyllur nga 2 nëntori, ndërsa hotelet lejohen të punojnë vetëm për të akomoduar udhëtarë të biznesit.

/GazetaSinjali/