Gjermania prin në listën e shteteve që kanë ndarë më së shumti të holla për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmeteve të 26 nëntorit dhe shifra e donacioneve është 11 milionë euro.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm Federal, Heiko Maas, gjatë Konferencës së Donatorëve që po mbahet në Bruksel.
“Tërmeti i rëndë i nëntorit, që goditi Shqipërinë, mori 51 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme serioze. Gjermania ofroi menjëherë ndihmën e saj nëpërmjet ekspertëve të Agjencisë të Asistencës Teknike. Por tani bëhet fjalë për rindërtimin. Qytetarët në zonat e prekura kanë nevojë për banesa, shkolla dhe kopshte. Gjermania vë në dispozicion për këtë 11 milionë euro. Është një dëshmi e fortë e solidaritetit të BE-së me Shqipërinë fakti që Komisioni Evropian po koordinon asistencën ndërkombëtare të emergjencës dhe ka thirrur për këtë qëllim konferencën e sotme të donatorëve”, tha ministri Maas.
Deri më tani BE ka ndarë 100 milionë euro, Komisioni Evropian 15 milionë, Gjermania 11 milionë euro, Suedia 5.6 milionë euro, Britania e Madhe 1 milion funte dhe Kroacia 1 milion euro, raportojnë mediat vendore./GazetaSinjali/