image Gjermania shënon rekord të zi të viktimave nga COVID-19, për 24 orë vdesin mbi 900 persona

Evropë

Gjermania shënon rekord të zi të viktimave nga COVID-19, për 24 orë vdesin mbi 900 persona

news image

Të mërkurën, Gjermania ka shënuar një numër rekord të viktimave të koronavirusit, brenda 24 orëve, përcjellë Gazeta Sinjali.

Atje janë shënuar 952 viktima, shifër kjo shqetësuese në ditën kur vendi hyri në fazë më të rreptë të izolimit.

Rekordi i mëparshëm i shifrës së viktimave për 24 orë u shënua të premten e kaluar, kur për një ditë u regjistruan 598 të vdekur nga sëmundja COVID- 19. Ky numër është dukshëm më i vogël se rekordi i së mërkurës.

Frika se pandemia po del nga kontrolli në ekonominë më të madhe evropiane i nxiti kancelaren Angela Merkel dhe guvernatorët e 16 rajoneve që të dielën të merrnin vendim për izolim të vendit të paktën deri më 10 janar.

Dyqanet dhe shkollat do të mbyllen nga e mërkura pas një periudhe të izolimit më të lehtë në nëntor, kur u mbyllën restorantet dhe baret. Sidoqoftë, masat e mëparshme nuk ndikuan që të parandalohet vala e dytë e pandemisë.

Përpos të vdekurve, të mërkurën në Gjermani u regjistruan edhe mbi 23 mijë raste të reja të infektimeve dhe numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në mbi 1 milion e 379 mijë persona. Ndërkohë shifra e përgjithshme e viktimave është 23.427.

Gjermania po e pret me padurim miratimin e vaksinës kundër koronavirusit nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve. Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se vendi i tij duhet ta fillojë vaksinimin e popullsisë 24 deri 72 orë pas miratimit të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”, e cila tashmë po përdoret në Britani, ShBA dhe Kanada.

/Gazeta Sinjali/