Ministri gjerman federal i Punës, Hubertus Heil ka paralajmëruar një “ligj modern imigrimi” me qëllim tërheqjen e më shumë të fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani. ”Karta e shanseve” do të jetë gati në vjeshtë.
”Ne do të vendosim një Kartë të shanseve me një sistem pikësh transparent, me qëllim që njerëzit për të cilët vendi ynë ka nevojë të vijnë më lehtë tek ne”, është shprehur ministri gjerman, Heil për gazetën e njohur gjermane Bild am Sonntag.
Kjo sepse kërkimi i një pune nga jashtë është shpesh i vështirë. Kush ka një diplomë apo kualifikim , pavarësisht nëse është studim universitar apo shkollim profesional, të cilin Gjermania e njeh, mund ta marrë menjëherë kartën e shanseve.
“Por ne duam edhe njerëz, që kanë kualifikime të tjera, dhe që na duhen për tregun e punës, e të cilëve do t’u japim një shans për të ardhur në Gjermani”, ka thënë politikani socialdemokrat gjerman.
Kush i përmbush tre nga katër kriteret merr ‘’Kartën e shanseve“
Me kartën e shanseve do duhet të futet një sistem pikësh, që përfshin katër kritere: Shkollimin e përfunduar jashtë, përvojë pune të paktën tre vjet, njohuritë gjuhësore ose një qëndrim të mëparshëm në Gjermani dhe së katërti moshën nën 35 vjeç. Kush plotëson tre nga katër kritere do të marrë ‘’Kartën e shanseve”. Por se si do të përcaktohet në fund kjo kartë duhet të miratohet njëherë brenda qeverisë.
”Ne kemi nevojë për më shumë imigrim. Vit për vit ne do të përcaktojmë në bazë të nevojës sonë një kontigjent të caktuar, se sa vetë do ta marrin kartën e shanseve në Gjermani, me qëllim që për një kohë caktuar të kërkojnë punë apo shkollim profesional këtu në Gjermani. Për këtë periudhë ata duhet ta sigurojnë vetë jetesën”, ka theksuar ministri Heil.