image Gjermania: Përkundër ngjarjeve që ndodhën të dielën progresi në dialog është urgjentisht i nevojshëm

Politikë

Gjermania: Përkundër ngjarjeve që ndodhën të dielën progresi në dialog është urgjentisht i nevojshëm

news image

“Përkundër ngjarjeve që ndodhën të dielën, do të jetë me rëndësi të madhe që të dyja palët të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë aktive në Dialog”, kjo është kërkesa urgjente e shtetit gjerman për palët e përfshira në dialog, raporton Gazeta Sinjali.

Shteti gjerman, përmes ambasadës së saj në Kosovë, thotë se progresi në dialog është urgjentisht i nevojshëm pas sulmeve të së dielës në Banjskë.

“Ngjarja tregon se progresi në dialog është urgjentisht i nevojshëm”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë për Gazetën Sinjali.

Sipas shtetit që në Kosovë përfaqësohet nga Joern Rohde, dialogu është i nevoshëm për stavilitetin në Kosovë dhe rajon.

“Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit dhe aneksit të saj është kyç për sigurimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin”, thotë ambasada e Gjermanisë për Gazetën Sinjali.

Pavarësisht asaj që ndodhi të dielën, Gjermania kërkon që palët të angazhohen në dialog.

“Prandaj, dhe përkundër ngjarjeve që ndodhën të dielën, do të jetë me rëndësi të madhe që të dyja palët të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë aktive në Dialog”, saktëson ambasada për Gazetën Sinjali.

Ndërkohë, ambasada rithekson se “Gjermania vazhdon të mbështesë plotësisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe punën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë”.

Ndryshe, akti i së dielës në Banjskë, është cilësuar edhe një herë “kriminal dhe terrorist” nga shteti i Gjermanisë. 

“Siç tha të hënën i dërguari special gjerman për Ballkanin Perëndimor: Gjermania i konsideron ngjarjet e së dielës si akt kriminal dhe terrorist dhe shpreh solidaritetin e saj të fortë me Kosovën”, thotë ambasada e Gjermanisë në Kosovës për Gazetën Sinjali.

Shteti gjerman kërkon që autorët të dalin para drejtësisë.

“Sulmet brutale kundër oficerëve të zbatimit të ligjit në Kosovë duke lënë të vdekur një polic dhe dy të tjerë të plagosur janë të papranueshme. Autorët duhet të dalin para drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Gazetën Sinjali.

Çfarë ndodhi në veri më 24 shtator?

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Grupi i armatosur – që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash – më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Policia dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë thënë se udhëheqës dhe pjesëmarrës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Për pjesëmarrjen e Radoiçiqit – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – Sveçla ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Radoiçiq gjendet në Serbi dhe ai do të merret në pyetje nga organet serbe.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi serbët e Kosovës.

/GazetaSinjali/