image Gjermania rithekson se sulmi i së dielës “është akt kriminal dhe terrorist”: Autorët të dalin para drejtësisë

Politikë

Gjermania rithekson se sulmi i së dielës “është akt kriminal dhe terrorist”: Autorët të dalin para drejtësisë

news image

Akti i së dielës në Banjskë, është cilësuar edhe një herë “kriminal dhe terrorist” nga shteti i Gjermanisë. Ky i fundit ka kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë, raporton Gazeta Sinjali.

Shteti gjerman, përmes ambasadës së saj në Kosovë, i ka dënuar edhe një herë sulmet e së dielës në Banjskë.

“Siç tha të hënën i dërguari special gjerman për Ballkanin Perëndimor: Gjermania i konsideron ngjarjet e së dielës si akt kriminal dhe terrorist dhe shpreh solidaritetin e saj të fortë me Kosovën”, thotë ambasada e Gjermanisë në Kosovës për Gazetën Sinjali.

Shteti gjerman kërkon që autorët të dalin para drejtësisë.

“Sulmet brutale kundër oficerëve të zbatimit të ligjit në Kosovë duke lënë të vdekur një polic dhe dy të tjerë të plagosur janë të papranueshme. Autorët duhet të dalin para drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Gazetën Sinjali.

Çfarë ndodhi në veri më 24 shtator?

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Grupi i armatosur – që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash – më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Policia dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë thënë se udhëheqës dhe pjesëmarrës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Për pjesëmarrjen e Radoiçiqit – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – Sveçla ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Radoiçiq gjendet në Serbi dhe ai do të merret në pyetje nga organet serbe.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi serbët e Kosovës.

/GazetaSinjali/