image Gjermania: “Non-paper” për Kosovën nuk është i vërtetë

Politikë

Gjermania: “Non-paper” për Kosovën nuk është i vërtetë

news image

Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paperit” që u tha se është hartuar nga ajo dhe Franca. Ky dokument që u publikua nga disa media në Kosovë, flet për themelimin e të ashtuquajturit “distriktit autonom të Kosovës së Veriut” dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky dokument nuk është i vërtetë dhe nuk reflekton në asnjë mënyrë pozicionet e Gjermanisë dhe Francës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ambasada gjermane tha se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak e ka mbështetjen e plotë të Berlinit zyrtar dhe se Gjermania dëshiron që i gjithë Ballkani Perëndimor të lëvizë drejt BE-së.

“Gjermania dhe Franca mbështetësin ndihmën për Ballkanin Perëndimor që të bëjë përparim drejt BE-së, së bashku me një bashkëpunim më të fuqishëm në rajon. Një instrument i rëndësishëm për këtë bashkëpunim është Procesi i Berlinit, që është iniciuar nga Qeveria gjermane më 2014”, tha Ambasada gjermane.

Ndërkaq, në Qeverinë e Kosovës, kanë refuzuar të komentojnë informacionet që përmban një “non-paper” i ri.

“Non-paper”, është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.

“Koha Ditore” e publikoi këtë dokument, i cili u tha se është përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si një iniciativë e tyre për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare, por tha se nuk ka mundur që ta konfirmojë autenticitetin e këtij dokumenti.

Ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Prishtinë, edhe më herët gjatë së martës kanë thënë se këto dy shtete nuk qëndrojnë prapa këtij dokumenti.

Edhe Ambasada gjermane dhe Ambasada franceze janë deklaruar për këtë dokument duke e demantuar dhe u distancuar nga ai. Nuk kemi çfarë t’i shtojmë më shumë deklarimeve të tyre”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, më herët gjatë ditës, ka thënë “non-paper” i publikuar nga “Koha Ditore” është “fake news”. “Non-paper”, është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.

Edhe Sussane Schutz, diplomate gjermane, përmes Twitterit, ka thënë se “retorika përçarëse dhe shkëputëse në Bosnjë dhe Hercegovinë është e papërgjegjshme dhe e rrezikshme! Rishikimi i hartave hap kutinë e Pandorës”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka nisur më 2011.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë të hënën se dialogu mes këtyre dy vendeve pritet të vazhdojë më 11 maj në Bruksel.

Mirëpo zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë të njëjtën ditë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim në këtë datë. /Gazeta Sinjali/