Gjermania ka miratuar një plan me të cilin do t’i mbyllë termocentralet kombëtare më së voni deri në mesin e viteve 2030, njoftoi qeveria federale.
Një vit më parë, këshilli i emëruar nga qeveria gjermane rekomandoi që vendi të ndalojë djegien e qymyrit për të prodhuar energji elektrike më së voni deri në vitin 2038, si pjesë e përpjekjeve për luftimin e ndryshimeve klimatike.
Megjithatë, përpjekjet për ta kthyer këtë në politikë kanë shkaktuar ngecje gjatë muajve të fundit. Disa zona, veçanërisht ato më pak të zhviluara në lindje, varen shumë nga minierat e qymyrit.
Zyrtarët e qeverisë federale dhe guvernatorët e provincave të prekura ranë dakord për “një rrugë të mbylljes” së fabrikave me qymyr në një takim që përfundoi sot në orët e para të mëngjesit, tha qeveria në një deklaratë.
Më tej thuhet se rishikimet e asaj që është bërë do të kryhen në vitin 2026 dhe 2029 për të përcaktuar nëse Gjermania mund të dilte nga prodhimi i energjisë elektrike me qymyr në vitin 2035, tre vjet para afatit.
Gjermania merr më shumë se një të tretën e energjisë elektrike nga djegia e qymyrit, duke gjeneruar sasi të mëdha të gazrave serrë që kontribuojnë në ngrohjen globale.
Qeveria ka miratuar tashmë një plan për të shpenzuar deri në 40 miliardë euro deri në vitin 2038 për të zbutur ndikimin e braktisjes së karburantit fosil në minierat e qymyrit. Këto para duhet të fillojnë të përdoren pasi Bundestagu të miratojë një ligj që përcakton datat dhe kushtet për ndalimin e djegies së qymyrit në Gjermani.