Gjermania raportoi një rekord prej 140,160 raste të reja me koronavirus të premten, tha ministri i Shëndetësisë në këtë shtet, i cili paralajmëroi se deri në mesin e muajit shkurt, mund të ketë të paktën 400 mijë raste të reja në ditë.
Sipas tij, kjo shifër do të arrihej me një skenar optimist nëse dozat përforcuese ofrojnë mbrojtje më të madhe, tha Karl Lauterbach, në një diskutim me drejtuesit e qeverisë gjermane, bëjnë të ditur burime të agjencisë Reuters.
Sipas këtyre burimeve, numri mund të rritet në më shumë se 600,000 raste të reja ditore, nëse dozat përforcuese do të ishin më pak mbrojtëse.
Ministri Lauterbach tha gjithashtu se ai pret që numri i pacientëve në kujdesin intensiv në spitale, të rritet ndjeshëm gjatë javëve të ardhshme.
Në Gjermani kanë vdekur më shumë se 116 mijë njerëz nga koronvirusi. Një javë më parë, ky shtet raporti 92,223 raste në ditë, raporton REL.
Rreth 73 për qind e popullsisë në Gjermani është imunizuar dhe 49 për qind kanë marrë vaksinat përforcuese, raporton Instituti për sëmundjet infektive “Robert Koch”.
Të hënën, udhëheqësit federalë dhe shtetërorë në Gjermani do të diskutojnë masat për të frenuar rritjen masive të rasteve me koronavirus./GazetaSinjali/