image Gjermania e lë pas Francën në menaxhimin e krizës me Covid-19

Botë

Pandemia/ Gjermania e lë pas Francën në menaxhimin e krizës me Covid-19

news image

Gjermania është sërish një hap përpara Francës, këtë herë në përballimin e Covid-19. Auron Dodi analizon faktorët e përparësisë gjermane ndaj fqinjit francez.

Në Francë, opinioni dhe mediat e kanë shoqëruar me respekt dhe habi efikasitetin e reagimit të Gjermanisë ndaj Covid-19. Me kureshtje analistë francezë janë përpjekur të zbulojnë sekretin e efikasitetit gjerman edhe në luftën e fundit, për frenimin e vrasësit të padukshëm Covid-19. “Politikanët francezë duhet të mësojnë shumë mësime nga rezistenca gjermane ndaj Covid-19”, shkruan këto ditë “Le Monde”. Në të njëjtën frymë kjo gazetë konstaton një “fiasko të shtetit” francez në përgjigjen ndaj krizës së Coronas.

Kriza e Covid-19 e rifuti Francën në një grup të papreferuar përsa u përket parametrave të frenimit të virusit: në grupin e shteteve të krizës Itali e Spanjë. Ekonomia e dytë për nga madhësia në BE e sheh veten në pozita më të forta vetëm përballë këtyre shteteve. Këtë grup Franca sapo e kishte braktisur në mënyrë mbresëlënëse vitin e kaluar: me një rritje ekonomike prej 1.3 përqind, dyfishin e rritjes ekonomike të Gjermanisë. Franca është lokomotiva e re e rritjes ekonomike të BE, konstatonin disa vëzhgues. Përpjekja këmbëngulëse e Presidentit Macron për ta reformuar tregun e punës në Francë dhe për reformën e pensioneve u përshëndet si impuls nga ekonomia franceze, e cila kaloi në një atmosferë euforike.

Në këtë valë krenarie, nga Franca nuk munguan as thumbimet ndaj fqinjit gjerman: thuajse saktësisht një vit më parë, Presidenti francez Emmanuel Macron formuloi në një konferencë shtypi në Pallatin Elysee fjalinë lënduese për Berlinin se “Gjermania është ndoshta në fund të modelit të saj të rritjes ekonomike”. Kundërshtimi nga Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble se “ne mund të jemi në fund të një cikli rritjeje, por jo të një modeli rritjeje” bëri pak përshtypje në Paris.

Kjo ishte atmosfera kur në fillim të marsit të këtij viti Gjermania dhe Franca u goditën nga Covid-19. Goditja nga virusi e ktheu pandeminë në një test stresi për politikën dhe strukturat shtetërore në të dyja vendet. Faktet flasin që Gjermania dhe kancelarja Angela Merkel janë treguar më të suksesshëm në menaxhimin e krizës.

Brutaliteti i shifrave na detyron të heqim dorë nga zakoni që shpjegohet me historinë dhe afërsinë: nga vlerësimi (më i lartë) i performancës së vendit tonë kundër asaj të Gjermanisë, shkroi këto ditë (25.04.) e përditshmja franceze “Le Monde”. Shifrat flasin qartë: 25.000 të vdekur në Francë prej gjithsej 168.925 të infektuarish (në një popullsi me 66 milionë banorë) përballë 6866 të vdekurish në Gjermani nga gjithsej 165.664 të infektuar (në një popullsi prej 83 milionë banorësh.)

Sistemi federal gjerman e favorizoi sistemin shëndetësor

Çfarë e bëri qasjen gjermane më të suksesshme se ajo franceze në përgjigjen ndaj krizës së virusit? Covid-19 nuk është mposhtur dhe këto konstatime nuk janë përfundimtare. Por pas frenimit të goditjes së parë, mund të nxirren disa përfundime.

Organizimi i shtetit në Gjermani favorizoi një përgjigje më efektive të sistemit shëndetësor gjerman ndaj Covid-19. Sistemi federal u dha landeve në Gjermani (të cilat veç kompetencave të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, kanë të gjitha kompetencat e një republike) zhdërvjelltësi në testimin vendimtar të popullatës. Me shpejtësi u testua popullata në rrjetin e dendur të spitaleve në çdo land dhe në laboratore, të cilat fituan pa humbur kohë të drejtën për të bërë testime për Covid-19. Deri në 30 prill Gjermania kishte testuar mesatarisht 30.400 vetë për 1 milion banorë. Konstatimi i hershëm i të infektuarve me anë të testimeve masive dhe veçimi i tyre i dha Gjermanisë përparësi të konsiderueshme në frenimin e virusit.

Krejt ndryshe eci puna në Francë. Sipas burimeve franceze, deri në mes të prillit Parisi ndoqi një qasje thellësisht të centralizuar për kundërmasat dhe kufizimet ndaj Covid-19. Por pakënaqësia në rajone dhe ngadalësia e funksionimit të administratës e nxitën Presidentin Macron që javën e fundit të prillit ta ndryshojë qasjen e tij. Presidenti kërkoi që në të ardhmen në rajone të ndryshme të avancohej mbi bazën e një logjike të diferencuar, p.sh. për heqjen e masave kufizuese.

Sistemi i centralizuar francez frenoi testimet në masë

Edhe testimet në masë të popullatës u frenuan nga plogështia e administratës në Francë. Shumë laboratorë privatë në Francë u ofruan të gatshëm të bënin testime të popullatës. Por kjo nuk funksionoi. Në sistemin e centralizuar shëndetësor francez, laboratorëve private u nevojitej për këtë qëllim leja e ministrisë së Shëndetësisë në Paris dhe e degëve rajonale të saj. Kjo leje u vonua në mënyrë të konsiderueshme. Megjithë rritjen graduale të kapaciteteve për testim, edhe aktualisht (30.04.) Franca arrin të testojë 7.103 vetë për 1 milion banorë.

Parimi i trajtimit të barabartë të rajoneve në sistemin francez solli parregullsi edhe në furnizimin me maska mbrojtëse të popullatës. Në medie u raportuan raste kur Parisi konfiskoi në aeroport maska të porositura nga rajonet për popullatën lokale: për t’i dërguar në rajone me nevoja më të mëdha. Kjo do të ishte e vështirë për t’u përfytyruar në Gjermani, përballë autonomisë së gjerë të landeve federale.

Gjermania e përgatitur më mirë se Franca për një pandemi

Në Gjermani, përgatitja e sistemit shëndetësor për një epidemi rezultoi dukshëm më e avancuar se në Francë. Përsa i përket numrit të shtretërve të kujdesit intensiv, Gjermania kishte që në krye të epidemisë dyfishin e atyre të Francës: 33,9 shtretër për 100.000 banorë në Gjermani përballë 16,3 në Francë. Kjo i dha mundësi Gjermanisë që të ndihmojë edhe Francën: për kurim në reanimacionin gjerman deri tani kanë ardhur 130 pacientë francezë, të cilëve Gjermania u ka ofruar t’u paguajë edhe shpenzimet.

Edhe numri i përgjithshëm i shtretërve në spitalet e Gjermanisë është më i lartë: në Gjermani janë mesatarisht gjashtë shtretër për 1000 banorë, ndërsa në Francë kjo shifër është te mesatarisht 3,1 për 1000 banorë.

Ndihma e Gjermanisë për ekonominë – dyfishi i ndihmës  franceze

Dallimi i dytë i madh qëndron me vëllimin e ndihmave shtetërore që Gjermania dhe Franca u kanë dhënë ekonomive të tyre për të përballuar Covid-19. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, mjetet financiare që ka vënë në dispozicion Gjermania janë 34 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), kurse ato të Francës janë vetëm 15 përqind.

Gjermanisë ia dha këtë mundësi rritja ekonomike e pandërprerë për një dhjetëvjeçar si dhe tepricat në buxhete. Edhe borxhi i Gjermanisë është i ulët, para krizës së Covid-19 ai ishte 60 % e PBB (tani do të rritet në 70 përqind të PBB).

Kurse gjendja ekonomike nga niset Franca është tjetër: borxhi i Francës në krye të krizës ishte 100 % e PBB (tani pritet të arrijë në 115 përqind).

Ndihma rekord e shtetit u ofron sipërmarrjeve gjermane një bazë më të mirë për të dalë nga recesioni që do të godasë edhe Gjermaninë. Gjendja në frenimin e virusit i ka lejuar Gjermanisë edhe të fillojë më herët se Franca heqjen e kufizimeve publike. Në kohën kur çdo javë kufizime rëndon ndjeshëm prodhimin ekonomik të vendit, në Francë ekonomia ka shprehur drojën se Franca do të mbetet sërish mbrapa të tjerëve.

Themelet e brishta ku u mbështet rritja ekonomike franceze e vitit 2019 i tregon fakti i rënies drastike të PBB në periudhën janar – mars 2020, kur kufizimet për shkak të Covid-19 kishin ndikuar vetëm dy javë: 5,8 përqind ra PBB në Francë, rënia më e madhe në një tremujor prej vitit 1949. Ndërsa në Gjermani rënia  për të njëjtën periudhë pritet të jetë në nivelin 2 ose 3 përqind.

Raportet e pushtetit: Merkeli në qendër të politikës evropiane

Kriza e Covid-19 hodhi dritë edhe në raportet e vërteta të pushtetit në Evropë: kancelarja Angela Merkel sërish shihet se është “në qendër të lojës politike” në Gjermani dhe në Evropë. Sipas ZDF, 80 % e gjermanëve janë të kënaqur me punën e saj. Në Evropë rindërtimi pas epokës së Covid-19 do të varet nga miratimi i saj për fondet evropiane që do të shkojnë drejt jugut të Evropës.

Ndërsa në Francë, punën e presidentit Emmanuel Macron e vlerësojnë pozitivisht jo më shumë se 46 % e francezëve. Covid-19 bëri që Macroni të pezullojë edhe reformën e pensioneve dhe të sigurimit të papunësisë, për të cilën ai luftoi me vendosmëri vitin e kaluar. Kur kryeministri Edouard Philippe deklaron për Francën se “nuk do të ketë kthim pas në kohën para krizës”, shtrohet pyetja se çfarë do të mbetet pas pandemisë edhe nga politika e Macronit. Performanca e lëkundur në menaxhimin e krizës dhe dobësimi i efikasitetit ekonomik të vendit e dobësojnë fuqinë integruese dhe peshën e Presidentit francez edhe në politikën evropiane.