image Gjermania do të lejojë azilkërkuesit të marrin më shpejt lejet e punës

Evropë

Gjermania do të lejojë azilkërkuesit të marrin më shpejt lejet e punës

news image

Qeveria gjermane prezantoi të mërkurën një projektligj për t’u mundësuar azilkërkuesve të marrin më shpejt lejet e punës.

Ministrja e Brendshme, Nensi Faeser, tha se paketa e re e masave do të përmirësojë integrimin social, duke lehtësuar kushtet për qasjen në tregun e punës.

“Ne duam të përdorim sa më mirë potencialin profesional dhe kualifikimet e njerëzve që tashmë jetojnë në Gjermani. Për ta bërë këtë, ne duhet t’i fusim ata në punë sa më shpejt të jetë e mundur, “tha ajo në një konferencë shtypi në Berlin.

Faeser nënvizoi se masat e reja do të vlejnë vetëm për azilkërkuesit që vërtet kanë nevojë për mbrojtje në Gjermani.

“Ata që vijnë nga vende të sigurta, kërkesat e të cilëve për azil janë qartazi të pabaza, ose që refuzojnë të sqarojnë identitetin e tyre, nuk do të lejohen të punojnë”, tha ajo.

Legjislacioni aktual i Gjermanisë përfshin ndalesa dhe kufizime të ndryshme për azilkërkuesit për të aplikuar për punë në vend, ndërkohë që kërkesat e tyre për azil shqyrtohen.

Sipas rregullores së re, azilkërkuesit do të mund të punësohen më së shpejti pas tre muajsh dhe më së shumti pas gjashtë muajsh, në varësi të situatës së tyre specifike.

Aktualisht, më shumë se 200 mijë azilkërkues kanë leje të përkohshme për të qëndruar në Gjermani, pasi kërkesat e tyre nuk pranohen, por nuk mund të deportohen në vendin e origjinës, për arsye faktike apo ligjore.

Burime të Ministrisë së Brendshme thanë se rregullorja e re do të rrisë integrimin social dhe gjithashtu do të lehtësojë barrën ekonomike mbi qytetet dhe bashkitë për shkak të numrit në rritje të refugjatëve që mbërrijnë në Gjermani. /AA

/GazetaSinjali/