image Gjermania dënon një ish-agjent sirian për torturë

Evropë

Gjermania dënon një ish-agjent sirian për torturë

news image

Një gjykatë në Gjermani ka dënuar një ish-zyrtar të inteligjencës siriane me katër vjet e gjysmë burgim, për bashkëpunim në krime kundër njerëzimit.

Prokurorët në Koblenz kanë thënë se Eyad al-Gharib, 44-vjeçar, ka ndihmuar në arrestim të protestuesve më 2011, të cilët më vonë janë torturuar dhe vrarë.

Një tjetër sirian Anwar Raslan, 58-vjeçar vazhdon të përballet me gjyq.

Të dy personat kanë ikur nga lufta civile në Siri dhe kanë fituar azilin në Gjermani, mirëpo janë arrestuar më 2019.

Prokurorët gjermanë janë thirrur në parimin e “juridiksionit universal” për krime serioze për të trajtuar këtë çështje.

Agjencia për të cilën kanë punuar këta burra ka luajtur rol të madh në shtypjen e protestave pro-demokracisë, në të cilat është kundërshtuar regjimi i presidentit Bashar al-Assad më 2011.

Eyad al-Gharib është akuzuar për dërgim të të paktën 30 protestuesve në një burg të Damaskut, ku janë torturuar më 2011, teksa ka qenë duke punuar për agjencinë më të fuqishme civile të Sirisë, Direktoriati i Përgjithshëm i Inteligjencës.

Avokatët e tij mbrojtës kanë thënë se ai është frikësuar nga ndëshkimi nëse nuk do të kishte zbatuar urdhrat, dhe kanë theksuar gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me autoritetet gjermane për të ofruar të dhëna kundër Anwar Raslan.

Anwar Raslan dyshohet të jetë përfshirë në torturim të të paktën 4,000 personave në periudhën 2011-12.

Ai është akuzuar për 58 shkelje, duke përfshirë vrasje, dhunim dhe sulm seksual.

Nëse dënohet, ai përballet me burgim të përjetshëm. /GazetaSinjali/