Shtatë persona të një universiteti në Gjermaninë përendimore kanë marrë trajtim mjekësor pasi që kanë shfaqur simptoma të helmimit, njoftuan këtë të martë autoritetet gjermane.
Punonjësit dhe studentët në Universitetin Teknik në Darmstad, në jug të Frankfurtit raportuan për probleme me shëndet, përderisa prokurorët kanë hapur një hetim për vrasje të dyshuar në tentativë.
Policia ka thënë se kutitë e qumështit dhe kontejnerët e ujit në një nga ndërtesat në kampus duket se janë kontaminuar me një substancë e dëmshme në mes të premtes së kaluar dhe të hënës teksa thuhet se lëngu i kontaminuar kishte një erë të fortë.
Ndërtesat e tjera universitare si masë paraprake ishin kontrolluar nga policia dhe prokurorët, por nuk gjetën asgjë tjetër të lidhur me helmimin e dyshuar, thanë ata të martën.
Policia dhe prokuroria gjithashtu u shprehën se askush tjetër nuk kishte pasur simptoma.
Në një deklaratë ata thanë se po bëjnë gjithçka për të “identifikuar fajtorin ose fajtorët” dhe se, me sa janë në dijeni, nuk ka më ndonjë “rrezik akut”.
Prokurori, Robert Hartmann, u tha gazetarëve se ndërsa autoritetet besojnë se infektimi mund të ketë qenë i qëllimshëm, ata aktualisht nuk kanë asnjë informacion që tregon ndonjë person specifik si një fajtor të mundshëm.
Ai tha se substanca është identifikuar, por prokurorët nuk do ta emërojnë publikisht tani për tani në funksion të hetimit në vazhdim. /GazetaSinjali/