Kandidatja për deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Florentina Gjergjaj, e cila nuk ka arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për ta marrë ulësen, ka reaguar pas publikimit të disa videove në të cilat shfaqen dyshime mbi manipulimin e votave në favor të Meliza Haradinajt Stubllës përmes dhënies së ryshfetit për komisionerët, shkruan Gazeta Sinjali.
“No comment!”, ka shkruar ajo, teksa ka shpërndarë videon ku shfaqen dyshime për korruptim të komisionerëve nga burri i kryediplomates Haradinaj-Stublla.
Ndryshe, Gjergjaj ishte ankuar edhe në PZAP se Meliza Haradinaj-Stubllës i ishin rritur votat në mënyrë artificiale.
“…është e pabesueshme si fakti se vetëm njëri nga kandidatët në listën e AAK-së të ndryshojë pozicion të vazhdueshëm gjatë numrit duke pasur parasysh se AAK në vota me kusht dhe me postë përafërsisht ka fituar 300 vota në total, ndërsa të njëjtës (Meliza Haradinaj-Stubllës) i shtohen 709 nga këto vota të numëruara, që i bie përafërsisht 1/3 e votave me kusht dhe afërsisht sa ¼ e votave të fituara në rezultatet preliminare të datës 26.02.2021, ora 14”, thuhet në ankesë.
Përveç Gjergjajt, ankesë për Haradinaj-Stubllën ka ushtruar edhe bashkëpartiakja tjetër e saj, Albana Bytyqi.
Ajo duke aluduar në Haradinaj-Stubllën ka shkruar se “për disa persona nuk është me rëndësi sa të votojnë, por kush t’i numëron”. /Gazeta Sinjali/