image Gjeorgjia fajëson Rusinë për sulmin kibernetik të vitit të kaluar - Sinjali

Gjeorgjia fajëson Rusinë për sulmin kibernetik të vitit të kaluar

news image

Gjeorgjia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë fajësuar Rusinë, se ka kryer sulmin kibernerik që preku 2 mijë faqe interneti në Gjeorgji, vitin e kaluar.

Autoritetet britanike kanë thënë se inteligjenca ushtarake ruse (GRU) ka qenë mbrapa “tentimeve për të dëmtuar sovranitetin e Gjeorgjisë”.

Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab, e ka përshkruar këtë incident si “absolutisht të papranueshëm”.

Lidhur me këto akuza, ka refuzuar që të flasë Ministria e Jashtme ruse, raporton agjencia e lajmeve RIA.

Qendra Kombëtare për Siguri Kibernetike e Britanisë ka gjetur se GRU “ka qenë pothuajse me siguri” mbrapa sulmeve që kanë prekur mijëra faqe, përfshirë atë të presidentit dhe transmetuesit televiziv kombëtar.

Ky njëherësh është konsideruar shembulli i parë i madh i një sulmi të tillë të kryer nga GRU, prej vitit 2017.

Këtë sulm kibernetik e ka dënuar edhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili tha se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë të ndalë këtë qasje në Gjeorgji dhe kudo tjetër.

Në shumë raste, faqet online janë zëvendësuar me një fotografi të ish-presidentit gjeorgjian, Mikheil Saakashvili, me përshkrimin “Unë do të kthehem”.

Saakashvili ka shërbyer dy mandate si president në Gjeorgji në periudhën 2004-2013.

Ai ka hequr dorë nga shtetësia gjeorgjiane më 2015, kur është bërë guvernator i rajonit ukrainas, Odesa./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin