Vendet individuale të NATO-s duhet të bëjnë gjithçka që munden për të mbështetur forcat ukrainase në fushën e betejës, thotë gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark.
Për mundësinë e vendosjes së zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, Clark thotë se NATO-ja duhet të mbetet brenda kufijve të saj.
Clark ka deklaruar se përfshirja eventuale e NATO-s në konflikt, varet nga presidenti rus, Vladimir Putin.
“Kjo varet vërtet nga zoti Putin. Por, nëse i shikoni objektivat që ka parashtruar në dokumentet diplomatike, që janë dorëzuar në vjeshtë… Ai ka kërkuar që forcat e NATO-s të shpërndahen dhe të largohen nga Evropa Lindore, ka kërkuar që këtyre vendeve t’u hiqet mbrojtja e NATO-s dhe kjo është e papranueshme. Por, nëse ky është objektivi i tij dhe ai është i përgatitur të na kërcënojë dhe të luftojë për të, atëherë mendoj se do të ketë luftë.”, ka thënë ai.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se mekanizmat ndërkombëtarë duhet ta padisin Putinin dhe gjeneralët e tij për krime lufte.
“Nëse cilësohet si kriminel lufte, vendet e tjera nuk mund të merren me të, institucionet financiare nuk mund të merren me të dhe ai do të përfundojë si [ish-presidenti serb, Sllobodan] Millosheviq në gjyq, në Hagë”, thotë Clark.
Clark, i cili ka shërbyer si komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, thotë po ashtu se aleanca duhet të ndërmarrë një varg masash për t’u përgjigjur, nëse Rusia i kalon kufijtë e saj.