Amerika dhe aleatët e saj duhet të dërgojnë sisteme mbrojtëse ajrore për Ukrainën që të ndihmojnë vendin të mbrojë hapësirën e saj ajrore kundër raketave dhe sulmeve të tjera ajrore të ushtrisë ruse. Kështu ka thënë Gjenerali i Ushtrisë Amerikane në një konferencë për media, përcjell Sinjali.
Pas takimit të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës që u themelua nga SHBA pas sulmit rus në Ukrainë, gjenerali Amerikan Mark Milley, ka treguar se sot në Bruksel është mbajtur takimi i Grupit të Kontaktit i cili u mblodh në margjinat e takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.
“Vendet e mbledhura sot në Bruksel duhet të marrin pjesë dhe të ndihmojnë Ukrainën për të ndërtuar dhe mbajtur një sistem të integruar të mbrojtjes kundër sulmeve ajrore dhe raketore”, tha Milley.
Ky i fundit më pas përshkroi planin e SHBA për të mbrojtur qiejt e Ukrainës. Kështu, SHBA-të propozojnë që sistemet e ndryshme të mbrojtjes ajrore që kanë vende të ndryshme, përfshirë Izraelin dhe Gjermaninë, t’i jepen Ukrainës dhe më pas këto sisteme të mund të përdoren së bashku për të mbrojtur hapësirën ajrore të Ukrainës.
“Shumë vende kanë sistemin Patriot, shumë vende kanë sisteme të tjera. Ka një seri të tërë sistemesh izraelite që janë jashtëzakonisht të fuqishme. Gjermanët gjithashtu kanë sistemet e tyre. Shumë vende që janë të pranishme sot në takim kanë një seri të tërë të sistemeve të mbrojtjes ajrore. Detyra kryesore do të jetë bashkimi i këtyre sistemeve, vënia në terren dhe trajnimi i ukrainasve për t’i përdorur ato. Duhet të kujtojmë se të gjitha këto sisteme janë të ndryshme, të sigurohemi që ato të jenë të lidhura në një qendër të vetme komandimi dhe kontrolli gjersa kanë radarë që mund të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të zgjedhin objektivat”, shpjegoi Milley.
Zbatimi i asaj strategjie do të jetë “shumë i ndërlikuar nga pikëpamja teknike”, tha Milley, duke shtuar se “plani është i arritshëm”.
Kur u pyet nga një gazetar se kur sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore do të mbërrijnë në Ukrainë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u përgjigj se “Ata do të mbërrijnë sapo të mund t’i dorëzojmë fizikisht”.