image Gjendja në Gjilan, pritet ritestimi i 27 personave të infektuar me COVID-19

Shëndetësi

Gjendja në Gjilan, pritet ritestimi i 27 personave të infektuar me COVID-19

news image

Komiteti për menaxhimin e emergjencave në Gjilan, sot është mbledhur për të analizuar situatën pas vendimit të qeverisë për masat lehtësuese të fazës së tretë, të zhvillimit të jetës normale në Kosovë.

Janë edhe 27 raste në vetizolim të cilat pritet të ritestohen sipas rekomandimeve profesionale të IKSHPK-së.

Lajmin e ka bër të ditur nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismaili, në një prononcim për media.

Sipas Ismailit, gjendja e këtyre 27 personave është stabile dhe se gjendja në Gjilan është drejt normalizimit të situatës.

“Përkundër vendimit të qeverisë për masat lehtësuese në fazën e tretë, ne sot kemi diskutuar për gjendjen e 27 rasteve të cilat edhe më tutje në bazë të rekomandimeve profesionale, janë duke qëndruar në vetizolim, deri në shërimin e plotë nga Covid-19. Gjendja shëndetësore e tyre është stabile dhe me simptoma të lehta. Këto dy-tri ditë do të bëhet përsëri ritestimi i tyre dhe shpresojmë shumë që rezultatet të jenë negative. Drejtoria e Shëndetësisë është në kontakte të vazhdueshme dhe po trajtojnë secilën kërkesë që vjen nga këto familje, duke i falënderuar për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë gjithë kësaj kohe”, ka thënë Ismajli.

Ai ka potencuar se sot në Gjilan ka filluar të normalizohet jeta, ku pjesa më e madhe e bizneseve që lejohen të punojnë në bazë të këtij vendimi, kanë filluar punën dhe aktivitetin e tyre, që po përcillet nga puna në terren e inspektorëve komunalë, në bazë të rekomandimit të masave të parapara të veprimit./ Gazeta Sinjali/