image Gjenden sërish copëza metali në ampulat e antibiotikut në QKUK - Sinjali

Gjenden sërish copëza metali në ampulat e antibiotikut në QKUK

news image

Janë gjetur sërish copëza metali në ampulat e antibiotikut Ceftriaxone në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Burimet njoftojnë se stafi mjekësor sërish ka hasur në disa ampula të antibiotikut Ceftriaxone brenda të cilave janë gjetur copëza metali. Bëhet fjalë për rastin e ngjashëm që ndodhi para disa javësh ku brenda ampulës u gjet copë metali të prodhuesit të njëjtë ‘Syner Medico’ dhe kontratën e njëjtë të kompanisë ‘Liri-Med’,

Lajmin e ka konfirmuar edhe kryeinspektorja e Inspektoratit Farmaceutik Remzije Thaqi. Ajo ka thënë se për këtë rast janë informuar të shtunën dhe menjëherë kanë ndërmarr masat si inspektorat.

“Jemi informuar të shtunën për rastin dhe menjëherë kemi hapur procedurën. Janë disa ampula brenda të cilave shihen me sy copëza metali. Jemi ende në hetime të rastit. Kemi informuar AKPM-në e cila ka marr vendim për pezullimin e Autorizim Marketingut për këtë produkt, si dhe kemi informuar kompaninë e cila ka afat 72 orë për ta tërhequr të gjithë sasinë nga tregu”, ka deklaruar Thaqi.

Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që stafi mjekësor has në ampula të Ceftriaxonit brenda të cilave gjenden copa metali. Gazeta Shneta ka raportuar më 5 janar për një ampulë brenda së cilës u gjet copë e metalit.

Ky ilaq është prodhim i kompanisë ‘Syner Medico’ nga India, ndërsa QKUK e ka kontraktuar përmes kompanisë ‘Liri-Med’ me kontratë në vlerë 311,568 Euro me sasi të planifikuar 1298200 copë.

Kompania ishte zotuar se do ta tërheq serinë e këtij produkti në QKUK dhe në Spitalin e Mitrovicës, ndërsa nuk kishte dhënë asnjë sqarim për rastin.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin