Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me tre vjet e dy muaj heqje liri, të akuzuarin M.G. për veprën penale, “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të ish Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas gjykatës, dënimi do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 5 qershor 2018 deri më 2 korrik 2018.
“I akuzuari është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej njëzet e pesë euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej njëzet e pesë euro, si dhe shumën prej pesëdhjete euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarit E.B., gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike, i akuzuari, me 05 qershor të vitit 2018 në Gjakovë, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin L. L., me ç’ rast ka rrezikuar edhe jetën e personave të tretë. Konfiskohet një revole e tipit “TT”, një karikator së bashku me dy fishekë, të cilën armë ditën kritike e kishte përdorur i akuzuari”, thuhet në komunikatë.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Gazeta Sinjali/