Zyrtarisht Kosova është bërë me trajner të ri. Ai është francezi Alain Giresse i cili foli sot para mediave teksa përmendi edhe ish-kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Trajneri francez ka folur për herë të parë si trajner i Kosovës.
Ai ka treguar se si ka ardhur në krye te ‘Dardanëve’.
“Desha t’ju përshëndes të gjithëve. Sot po zyrtarizohet detyra ime si selektor i Kosovës. Të flasim se si rrodhi puna që unë të vij këtu. Në jetë e kemi të kaluarën tonë. Kam pasur para disa viteve një vizitë në Kosovë, sa ishte kryetar Fadil Vokrri. Kam pasur lidhje shumë miqësore, shumë të forta me të. Në Francë kur kam dëgjuar për vdekjen e tij, jam prekur shumë”, tha Giresse.
Giresse është një ish-futbollist i famshëm francez, ndërsa kombëtarja e fundit që drejtoi ishte ajo e Tunisisë.