image Gërxhaliu: Askush nuk kërkoi llogari për keqpërdorimet dhe shitjet e pronave të Kosovës

Sociale

Gërxhaliu: Askush nuk kërkoi llogari për keqpërdorimet dhe shitjet e pronave të Kosovës

news image

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se procesi i privatizimit është përcjellë me jotransparencë dhe keqpërdorime, qoftë nga aktorët vendës dhe ndërkombëtar.

Ai thotë se ndërmarrjet që janë konsideruar më të mëdha, janë privatizuar me metodën “spin-off” special.

“Procesi i privatizimit në Kosovë që nga fillimi ka qenë shumë ma tepër që të implementohet në aspektin politik sesa ekonomik. Procesi ekonomik i privatizimit ka sjellë sfida të shumta, në rend të parë mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit ka qenë elementi kyç që Kosova shumë më tepër është dëmtuar nga ky sistem sesa që ka përfituar, vet fakti që kemi 845 ndërmarrje publike dhe shoqërore të cilat janë privatizuar për vetëm 645 milionë dhe është e para. Vet fakti që kemi rreth 30 mijë hektarë tokë të cilët janë privatizuar për më pak se 90 milionë euro dhe vet fakti që i kemi më tepër se 80 mijë të punësuar që kanë mbet të papunë si pasojë e procesit të privatizimit e dëshmon më së mirë dështimin në këtë proces”, ka thënë Gërxhaliu për ekonomiaonline.

Gërxhaliu ka thënë se nga askush nuk është kërkuar llogari për keqpërdorimet dhe shitjen e pronave së Kosovës në vendet e rajonit.

“Ne kemi pasur keqpërdorim dhe shitje të pronës së Kosovës në Mal të Zi, në Serbi, në Kroaci e në Slloveni dhe askush nuk ka kërkuar llogaridhënie se kush qëndron pas shitjes së këtyre aseteve dhe sa është dëmtuar Kosova”, shtoi ai.

Teksa ka folur për sfidat që do ta presin Qeverinë e re rreth procesit të privatizimit, Gërxhaliu ka theksuar se rishikimi i shitjeve në vendet e rajonit do të jetë një ndër sfidat më të mëdha.

“Në rend të parë qeveria e re duhet të ketë sfida të shumta në të cilat do të ballafaqohet, mirëpo në rend të dytë nuk mund të ketë komoditet që thotë që do të ketë ndryshim sepse vet fillimi i ndryshimit është suksesi më i madh i Qeverisë në fjalë, por barra e procesit dhe rishikimi i procesit qoftë vendor, apo i shitjes së aseteve në vendet e rajonit do të jetë një ndër sfidat por kjo kërkon një prokurori aktive dhe një sundim të rendit dhe ligjit”, tha ai. /GazetaSinjali/