image Gërvalla: Është momenti i duhur për të aplikuar për hyrje në BE

Politikë

Gërvalla: Është momenti i duhur për të aplikuar për hyrje në BE

news image

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, para deputetëve ka thënë se është momenti i duhur për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian, përkundër që ka shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ajo tha se për këtë hap janë koordinuar edhe me partnerët europianë dhe amerikanë dhe se kanë mbështetjen e tyre.

“Ka strategji shumë të qartë rreth anëtarësimit në BE dhe ka koordinim me partnerët tonë si në BE, ashtu edhe në SHBA rreth aspiratave tona për anëtarësim në BE. Jo vetëm që ka koordinim, por edhe mbështetje të fuqishme për aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE”, tha Gërvalla.

Në pyetjen e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës, Gërvalla tha se ka progres.

“Po, ka pasë një strategji të qartë të lobimit për hyrje në KiE para dorëzimit të kërkesës. Kosova ka bërë progres të dukshëm në rrugën e saj në anëtarësimin në Këshillin e Europës”.

Kryediplomatja tha se janë të vetëdijshëm për sfidat që ka Kosova përpara, por se sfidat s’duhet ta zmbrapsin Kosovën për të bërë formale aspiratën e saj për anëtarësim në BE.

“Përcaktimi i qartë i Kosovës është hyrja në BE, kjo është perspektiva kjo është e ardhmja e qartë dhe nëse në anën tjetër shohim zhvillimet e muajve të fundit që kanë një interesim më të shtuar të shteteve anëtare të BE-së për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Pra, pas një faze as që kanë qenë temë integrimi i Ballkanit Perëndimor për vite të tëra, që nga presidenca sllovene e BE-së tema është aktualizuar. Nëse i themi këto të dyja, atëherë cila do të ishte përgjigjja më e natyrshme dhe më e logjikshme se sa që Kosova më në fund të paraqesë kërkesën, pra të shprehë vullnetin e saj për t’u bërë anëtare e BE-së”.

Ajo tha se natyrisht që procesi nuk përfundon me dorëzimin e kërkesës, por fillon një fazë e rëndësishme që Kosova, si një ndër gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, shpreh aspiratat edhe formalisht për t’u anëtarësuar në BE.

“Nuk ka alternativë tjetër nga kërkesës formale për t’u anëtarësuar në BE dhe për të filluar procedurat në të cilat kanë kaluar edhe të gjitha shtetet tona fqinje deri në atë që do të jetë finalja – anëtarësimi i Kosovës në BE. Askush në Qeverinë e Republikës nuk është naiv të mos i dijë sfidat që kemi përpara. Të gjithë e dimë që ka shtete mosnjohëse, të gjithë e dimë që ka skepticizëm, të gjithë e dimë që sa më shumë i rrit provokimet dhe presionet Serbia, aq më shumë frikësohen disa nga shtetet e BE-së me atë mënyrën e tyre se “rendi dhe ligji janë njëra anë, por nuk duam konflikte”. Zgjidhja nuk mund të jetë të stepemi, të dorëzohemi para krimit, tensioneve dhe shantazheve”.

/GazetaSinjali/