image Gërmimet në Kizhevak, Gara: Ankthit të pritjes së familjarëve të të pagjeturve t’i vije fundi

Drejtësi

Gërmimet në Kizhevak, Gara: Ankthit të pritjes së familjarëve të të pagjeturve t’i vije fundi

news image

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka folur rreth procesit të gërmimeve në Kizhevak të Serbisë, si pjesë e kërkimeve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë.

Gara, në një postim në Facebook, ka falënderuar ekspertët kosovarë që ishin sot në këtë lokacion.

Ai tha se ekspertët e angazhuar, sot dhe në vazhdimësi, me përpjekje maksimale që vlerësimi i tërësishëm i lokacionit të varrezës masive, zhvarrosja e eshtrave (mbetjeve mortore të bashkëqytetarëve tanë të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm gjatë luftës), identifikimi dhe riatdhesimi në Republikën e Kosovës, të kryhet sa më parë, që ankthit të pritjes së familjarëve të të pagjeturve t’i vijë fundi.

Postimi i plotë i Kushtrim Garës:

Festa e Bajramit ndër të tjera është karakterizuar edhe si festë që na bashkon me familje dhe më të dashurit tanë.

Andaj në këtë ditë nga urimet dhe bisedat e shumta të këmbyera, do të veçoja telefonatën me ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, që sot janë larg familjeve të tyre, në krye të detyrës, të angazhuar në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak.

Ekspertët tanë të angazhuar, sot dhe në vazhdimësi, me përpjekje maksimale që vlerësimi i tërësishëm i lokacionit të varrezës masive, zhvarrosja e eshtrave (mbetjeve mortore të bashkëqytetarëve tanë të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm gjatë luftës), identifikimi dhe riatdhesimi në Republikën e Kosovës, të kryhet një ditë e më parë, që ankthit të pritjes së familjarëve të të pagjeturve t’i vijë fundi.

Respekt të pafundmë për ekspertët që sot patën fatin të jenë në lokacion: Dr. Ditor Haliti ,antropolog mjekoligjor, Dr. Musa Gashi , specialist i mjekësisë ligjore dhe, z. Driton Spahiu në këtë rast në kapacitetin e fotografit mjekoligjor.

Bashkërisht konkluduam se kjo është më e pakta që mund të bëhet për familjet që humbën shumë nga jeta e tyre, përfshirë edhe më dashurit e tyre dhe, siç e kemi theksuar edhe më parë, guximi dhe dinjiteti i këtyre familjeve është frymëzues dhe i jashtëzakonshëm.

Respekt dhe nderim me përulësi për të gjitha familjet e të pagjeturve dhe të rënëve!

Përjetësisht Lavdi të Rënëve në altarin e Lirisë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës është zotuar se do të mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të tyre dhe vendosjen.

/Gazeta Sinjali/