image Gent Cakaj reagon për ftesën e Gjykatës Speciale ndaj Kadri Veselit

Kosovë

Gent Cakaj reagon për ftesën e Gjykatës Speciale ndaj Kadri Veselit

news image

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në detyrë, Gent Cakaj, ka reaguar lidhur me ftesën nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale ndaj Kadri Veselit. Ai ka thënë se po vazhdohet me padrejtësi sistematike dhe qasje të njëanshme të UÇK-së dhe të Kosovës.

Cakaj ka thënë se lufta e UÇK-së, ka qenë historikisht e drejtë dhe se përgjegjëse për vrasjen e më shumë se 12 mijë shqiptarëve është Serbia.

Postimi i plotë:

Thirrja për intervistim në Gjykatën Speciale në Hagë e Kadri Veselit është vetëm vazhdim i padrejtësive sistematike dhe qasjes së njëanshme ndaj UÇK-së dhe Kosovës në përgjithësi.

Lufta e UÇK-së ka qenë historikisht e drejtë dhe realisht, e vetmja përgjigje ndaj përpjekjeve gjenocidiale të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës në përgjithësi.

Serbia, vetëm në luftën e fundit në Kosovë, është përgjegjëse për vrasjen e me tepër se 12.000 shqiptarëve, për deportimin masiv të më shumë se një milion njerëzve dhe miliona dollarë dëme të luftës. Këto krime nuk janë kryer në baza individuale por kanë qenë të sponsorizuara drejtëpërdrejtë nga aparati shtetëror i Serbisë. Serbia ka dështuar tërësisht në adresimin e të kaluarës së saj kriminale dhe politikanët e paramilitarët e asaj kohe janë sot në krye të shtetit të Serbisë. Adresimi i krimeve të Serbisë është një prej faktorëve thelbësorë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Bota, ndërkaq, duhet të jetë shumë më e zëshme dhe më e qartë në kërkesën për llogaridhënie historike e vendosje të drejtësisë për bëmat monstruoze të Serbisë në Kosovë!

Drejtësia selektive nuk është drejtësi! E, aq më pak proceset e nisura mbi paragjykime dhe të ndërtuara mbi të pavërteta!

Kadri Veseli me shokë sot janë shumë më shumë se luftëtarë të lirisë: ata janë dëshmitarë të pastërtisë së kauzës për çlirimin e Kosovës./Gazeta Sinjali/