image Gazetarja Rudina Xhunga: Njëri më ngacmonte seksualisht, Prokuroria më tha se më donte

Rajon

Ngjarja/ Gazetarja Rudina Xhunga: Njëri më ngacmonte seksualisht, Prokuroria më tha se më donte

news image

Gazetarja e njohur Rudina Xhunga ka ndarë eksperiencën e saj me Prokurorinë e Tiranës disa vite më parë, kur kishte bërë një kallëzim ndaj një personi që e ngacmonte dhe e kërcënonte vazhdimisht me mesazhe.

Gjatë një takimi të organizuar nga Prokuroria e Tiranës në ditën kundër dhunës ndaj grave, ajo rrëfeu se përgjigja që mori nga prokuroria në atë kohë ishte se personi thjeshtë e donte dhe se ndaj tij nuk kishte ndonjë vepër penale.

“Kam një eksperiencë personale me Prokurorinë e Tiranës, në vitet 2003-2004. Më ngacmonte një njeri i çmendur, më shkruante mesazhe pa fund, mesazhe të pështira. E durova se mendova se je person publik dhe duhet të paguash çmimin, po pse? Në atë kohë e lejova të shkruante deri sa  u frikësova se po kërcënonte.

Atëherë e padita në prokurori, më erdhën njerëz e më takuan deri sa më erdhi përgjigja që ishte se personi nuk kishte shkaktuar asnjë vepër penale po thjeshtë më donte mua. Epo kjo është dhunë ndaj gruas, një i çmendur më donte dhe unë duhet ta lejoja”, tha gazetarja, e cila apeloi se duke ngritur zërin, shumë gjëra mund të ndryshojnë.

“Megjithatë, ligjet ndryshuan, tani nuk është kaq e lehtë që të të duan në këtë mënyrë. Tani u sqarua se kjo është përndjekje dhe jo dashuri. Atëherë mungonte ligji. Pra, kështu bëhen ligje, pak nga pak duke ngritur zërin dhe duke folur njerëz si ne, e duke mos patur turp.

Na ndodh ne, mund tu ndodhë edhe fëmijët tanë po nuk folëm. Prandaj është e rëndësishëm të flasësh dhe ti kthesh fjalët në ligje”, u shpreh Xhunga.