image Gazetari britanik për "Autostradën e Paqes”: E paqartë se çfarë do të financojnë amerikanët

Financa

Gazetari britanik për “Autostradën e Paqes”: E paqartë se çfarë do të financojnë amerikanët

news image

Analisti për çështje të Ballkanit, Tim Judah, është deklaruar rreth marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas nënshkrimit të dokumentit më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizim ekonomik, një delegacion i qeverisë amerikane së fundi qëndroi për vizitë në Kosovë dhe Serbi, si pjesë e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja me këto dy vende.

Judah thotë se është e paqartë se çfarë do të financohet nga amerikanët, kur është në pyetje pika e marrëveshjes për ndërtimin e “Autostradës së Paqes”.

Sipas tij, BERZH ia ka bërë të ditur se kur është në pyetje kjo rrugë, BE tashmë është përkujdesur për një gjë të tillë.

“Në lidhje me rrugën Prishtinë-Nish dhe premtimin e SHBA-së për para. Meqenëse gjithçka është duke u zhvilluar, unë nuk e kuptoj saktësisht se çfarë premtohet të bëjnë SHBA. A do të financojnë boshllëqet apo çfarë saktësisht? Duhet të jetë dikush atje që e di. Sot flitet për një ndihmë prej 1 miliard dollarësh për ta financuar atë. Por e gjithë kjo është e mistershme”, ka shkruar Judah në Twitter, teksa përcjellë detajet që i janë dhënë nga BERZH-i rreth kësaj rruge dhe financimit të saj.

Tim Judah, gazetar britanik

1. Nish-Ploçnik bashkëfinancim i Bankës Evropiane për Investime dhe BERZH-it me grante të BE-së, tenderët do të lansohen në fillim të tetorit.

2. Ploçnik – Merdarë, duke u përgatitur me grante nga BE-ja për financim si më lartë.

3. Prishtinë – Merdare, njëjtë

4. Prishtinë – Tiranë, tashmë gati e kompletuar nga Bechteli më 2010.

“Pra, a mund të jetë ky edhe një rast tjetër kur BE-ja bën diçka të mirë dhe paguan për të dhe askush të mos ta di? Për shembull, BE paguan për shumë gjëra në Serbi, por shumë serbë besojnë se Rusia dhe Kina kanë investuar. A do t’iu bashkohen atyre së shpejti edhe amerikanët?”, përfundon Judah./Gazeta Sinjali/