Një hulumtim i përbashkët i O Kanal dhe Oslobodjenje ka bërë të mundur që të gjendet krimineli serb i luftës Dusko Kornjaqa, i cili ishte i fshehur në Novi Sad.
Sipas gjetjeve, ai është duke banuar në rrugën “Tekelijina”, apartamenti numër 6.
Kornjaqa i kërkuar nga Interpol është i akuzuar për krime kundër njerëzimit, i cili ishte kryekomandant i çetës në Çajnicë të Bosnjës e Hercegovinës.
“Në periudhën nga mesi i prillit 1992 deri në fund të qershorit 1992 në Komunën Çajnice, si pjesë e një sulmi sistematik nga Mbrojtja Territoriale. Dusko Kornjaqa ishte udhëheqës i Shtabit të Krizave, më vonë komandant i luftës të Komunës serbe të Cajnice. Pastaj ministër serb i Mbrojtjes në Qeverinë Autonome të Hercegovinës, si pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, planifikoi dhe urdhëroi persekutimin e popullsisë jo-serbe nga Komuna e Çajnice“, thuhet në akuzën e Gjykatës së Bosnjës e Hercegovinës.
Zbulimi i tij është bërë nga gazetari hulumtues Avdo Avdiq, i cili në dokumentarin “VIRUSSIA” ka folur për lidhjet e kriminelëve serbë të luftës me Federatën e Rusisë.
Milun Kornjaqa, vëllai i Duskos është dënuar për krimet e bëra në Mostina, raporton KP.
Ai u dënua me shtatë vjet burg, ndërsa vëllai i tij Dusko gjendet ende në arrati.