Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Varfërisë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mbajti edicionin e 14-të të ndarjes së çmimeve vjetore “Çmimi i gazetarisë për varfërinë”.
Çmimi për video-storien e shkurtër më të mirë i është ndarë gazetares Rejhane Selimi nga Klan Kosova.
Dokumentari më i mirë ishte nga autorja Kaltrina Rexhepi Dragusha nga RTK.
Ndërsa, çmimi audio-storia më e mirë i është ndarë gazetares Bardha Shkreli të Radio Kosovës.
Çmimi për storien e shkruar më të mirë iu nda Besnik Boletinit, ndërsa për fotografinë më të mirë u shpërblye fotoreporteri Arben Llapashtica.
Gentiana Begolli Pustina, kryetare e Bordit të AGK-së, deklaroi se janë gazetarët, xhiruesit e fotoreporterët që më së shumti kontribuuan në luftimin e varfërisë.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi se Kosova ka një shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë.
Ajo tha se shifrat aktuale mbi varfërinë do të ishin edhe më të lartë sikur të mos kishte përkrahje financiare ndërkombëtare dhe nga mërgata.
Sipas saj, niveli i lartë i varfërisë shkakton probleme të ndryshme, dhe për të zhdukur varfërinë, Jahjaga tha se Kosova duhet të krijojë vende të reja pune dhe zhvillim socio-ekonomik.
Po ashtu, të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe Ulrika Richardson koordinatore për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.