Vlera e depozitave të klientëve në dhjetë bankat komerciale të Kosovës ka arritur në mbi 4.9 miliardë euro.
Nga kjo vlerë, më shumë se 3.3 miliardë euro janë depozita të qytetarëve, ndërsa pjesa tjetër u takon ndërmarrjeve.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e depozitave në vitin 2021 ka shënuar rritje për 12.4 për qind, në krahasim me vitin 2020.
Më saktësisht, sipas BQK-së, vlera e depozitave të reja, të arkëtuara vitin e kaluar, ka arritur në 446.1 milionë euro.
Nga Shoqata e Bankave në Kosovë thonë se pjesa më e madhe e depozitave – mbi 76 për qind – është shfrytëzuar nga bankat për kreditim të ekonomisë.
Deri në fund të vitit 2021, vlera e përgjithshme e kredive të dhëna nga bankat ka arritur në 3.75 miliardë euro.
“Ruajtja e raportit ndërmjet kreditimit dhe depozitës është e rëndësishme, meqë tregon për shëndetin e sektorit bankar, i cili ka qenë vazhdimisht i kujdesshëm në pjesën e kreditimit, përmes ruajtjes së likuiditetit në nivele të pranueshme, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Shoqatës së Bankave të Kosovës, dhënë për REL.
Albulenë Kastrati, profesoreshë e Ekonomisë në Kolegjin privat AAB në Prishtinë, thotë se do të ishte më mirë që kursimet të shpenzoheshin apo investoheshin në biznese apo patundshmëri, e jo të mbahen si para të gatshme në banka.
Por, sipas saj, për këtë mungojnë platformat investuese.
“Natyrisht, mungon [edhe] edukimi financiar i popullatës, për t’i shfrytëzuar këto depozita në formë të investimeve”, thotë Kastrati.
Ajo shton se norma e interesit në depozita, viteve të fundit, ka rënë shumë dhe, si e tillë, nuk siguron kthim të dinjitetshëm te depozitarët.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, norma mesatare e interesit në depozitat e afatizuara në sektorin bankar gjatë periudhës janar-dhjetor 2021 ka qenë 1.3 për qind, ndërsa norma e interesit për kreditë e marra sillet në rreth 5.8 për qind.
Çka ndikoi në rritjen e depozitave?
Nga Shoqata e Bankave të Kosovës thonë se rritja e vlerës së depozitave dëshmon besimin e qytetarëve në sektorin bankar.
Sipas kësaj shoqate, në rritjen e vlerës së depozitave ka ndikuar performanca më e mirë e bizneseve pas lirimit të kufizimeve që ka imponuar pandemia COVID-19, por edhe tërheqja e kursimeve nga Trusti Pensional.
Në vitin 2020, qytetarëve të Kosovës u është dhënë mundësia për të tërhequr 10 për qind të kursimeve në Trust, për të përballuar më lehtë vështirësitë ekonomike që mund t’iu kishte shkaktuar pandemia.
Atëbotë, nga Trusti janë tërhequr afro 200 milionë euro.
Edhe sipas një raporti të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP në Kosovë, 40 për qind të rritjes së depozitave e kanë nxitur kursimet e nxjerra nga Trusti, që janë deponuar në llogari private dhe nuk janë shpenzuar menjëherë.
Përgjegjës për sigurimin e kursimeve në Kosovë është Fondi i Sigurimit të Depozitave. Ky fond, që është krijuar në vitin 2011, punon për t’i mbrojtur depozitorët nga humbja, në rast të revokimit të licencës apo mbylljes së ndonjë banke.
Gjendja ekonomike e qytetarëve në shifra
Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.
Sipas të dhënave të muajit shkurt të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më shumë se 25,000 familje me 102,333 anëtarë kanë marrë asistencë sociale nga buxheti i shtetit të Kosovës. Kjo asistencë u jepet familjeve me kushte të vështira financiare dhe që nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.
Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë në Kosovë, në vitin 2021, ka qenë afro 26 për qind.
Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.
Në Kosovë, pothuajse të gjitha produktet e konsumit janë shtrenjtuar dukshëm që nga viti i kaluar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në muajin mars në Kosovë është rritur për 10 për qind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021.