image Gastronomët revoltohen ndaj masave të reja: Pas 11 ditësh hapemi, me ose pa lejen e qeverisë

Biznes

Gastronomët revoltohen ndaj masave të reja: Pas 11 ditësh hapemi, me ose pa lejen e qeverisë

news image

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kollokoqi, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e reja antiCOVID, raporton Gazeta Sinjali.

Kllokoqi ka thënë se me këtë rast gastronomia është bërë “kurban” i situatës dhe është ndëshkuar që të paguajë faturën e dëmit të politikës.

Ai ka thënë se gastronomët do të hapin lokalet e tyre pas 11 ditësh, edhe nëse një gjë e tillë nuk do t’u lejohet nga qeveria.

Gjatë këtyre ditëve sa do të qëndrojnë të mbyllur, ai ka thënë se gastronomët do të kërkojnë subvencionime të pagave dhe qirave.

“Pas 11 ditësh ne do të hapemi. Me ose pa leje të qeverisë, ne do të hapemi. Për këto 11 ditë kërkojmë subvencionime të pagave, të qirave dhe grante për biznese, do të kërkojmë strategji për të ardhmen tonë”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Kllokoqi ka thënë se gjatë këtyre ditëve do të diskutojnë për të arritur një marrëveshje me qeverinë, në të kundërtën paralajmëron edhe protesta në rrugë.

“Më mirë është të funksionojë gastronomia e të qarkullojë paraja, e me këto para të investohet në shëndetësi, të sigurohen shtretër e hapësira të mjaftueshme për të gjithë të prekurit me COVID, si rezultat i fushatave parazgjedhore, e të sigurohen vaksina, se të sanksionohen bizneset.”

“Ne, për këto 11 ditë mbyllje do të vazhdojmë bisedimet me Qeverinë e Kosovës, me shpresë që të arrijmë një marrëveshje. Mirëpo, nëse nuk arrijmë marrëveshje, pas 11 ditësh, nuk përjashtojmë daljen në rrugë. Nuk na mbetet tjetër. Masat që do të vendosen duhet të jenë lehtësuese për gastronomët dhe jo ndëshkuese”, ka përfunduar ai.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që lokalet e gastronomisë të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill.

Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”./Gazeta Sinjali/