image Gastronomët protestojnë sot me automjete para Qeverisë

Biznes

Gastronomët protestojnë sot me automjete para Qeverisë

news image

Sot, gastronomët do të protestojnë me automjete para objektit të Qeverisë së Kosovës, për të kundërshtuar masat e reja anti-COVID, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, dje bëri të ditur se protesta parashihet të mbahet në orën 21:30. Sipas tij kjo protestë do të bëhet me sirena të automjeteve.

“Nesër, e diele, ora 21:30, ftoj të gjithë gastronomët që të dalim para Qeverisë, duke i marrë automjetet tuaja për të protestuar kundër masave të reja, me sirena”, shkroi dje në Facebook ai.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës i ka vlerësuar si të pakuptimta masat e reja të cilat kufizojnë veprimtaritë biznesore.

“Masat nuk kanë kuptim që të kufizojnë veprimtaritë biznesore, por të stimulojnë vaksinimin e popullatës, si zgjidhja e vetme për daljen nga kjo krizë”, shkruhet në postimin e tyre.

Bazuar në masat e reja anti-COVID, maska do të vazhdojë që të jetë obligative për qytetarët e vendit.

Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 00:00 deri në ora 05:00.

Edhe pas kësaj mbledhjeje Qeveria vazhdon që të ndalojë veprimtarinë e klubeve të natës, si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore,  në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës./Gazeta Sinjali/