Shoqata e Gastronomëve të Kosovës është pajtuar me vendimin që pritet ta marrë Qeveria e Kosovës për orarin e ri të funksionimit të këtij sektori.
Kryetari kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, në një konferencë për media tha se ky sektor do ta mbështes orarin e ri deri të funksionimit deri në orën 22:30, por me kushtin që ky vendim të zgjasë maksimumi dhjetë ditë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ne si gastronomi kemi vendosur që ta respektojmë masën prej 22:30 për një afat prej një javësh deri në dhjetë ditë”, tha Kllokoqi.
Ai ka kërkuar që të zbatohen masat pakos emergjente për pagat e punëtorëve.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, pas takimit me gastronomët tha se mënyra më e mirë për parandalimin e COVID-19 është vetëdijesimi i qytetarëve dhe bizneseve.
Ai ka propozuar që të digjitalizohen shërbimet nëpër institucionet e shtetit, siç është regjistrimi i automjeteve.
“Sa më parë të licencohen laboratorët privat. Nëse nuk ka rishikim brenda kësaj jave, kolapsi është i pa shmangshëm dhe zvogëlimi i vendeve të punës mund të shkojë deri në 20 mijë. Për gastronomi të bëhet një garanci nga qeveria”, tha Rukiqi.
Qeveria pritet që ta zgjasë orarin e punës për bizneset e gastronomisë. Nga orari prej 05:00 deri në 21:00 sa ishte, tani bizneset e këtij sektori është paraparë të lejohen të punojnë deri në orën 22:30.
Në bazë të propozim – vendimit për masat e reja, është paraparë se nga data 28.07.2020, të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme) t’u ndalohet funksionimi nga ora 22:30 deri në 05:00 në gjithë territorin e Kosovës.
Jashtë këtij orari, sipas propozim-vendimit ata mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metra hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away (merre me vete). /Gazeta Sinjali