Pronarët e bizneseve të gastronomisë në Kosovë vazhdojnë të jenë të pakënaqur me orarin e funksionimit që ua ka vendosur Qeveria. Përveç zgjatjes së orarit, ata kërkojnë edhe ndihmë financiare nga ekzekutivi për t’i ‘kuruar’ humbjet që e kanë goditur këtë sektor gjatë pandemisë.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka thënë për Gazetën Sinjali se të martën dhe të mërkurën do t’i mbajnë dy mbledhje për të dalë më pas me një qëndrim rreth kërkesave të tyre. Ai ka propozuar që të krijohet një pako e re për rimëkëmbjen ekonomike që do t’i dilte në ndihmë bizneseve financiarisht.
“Të martën e kemi një mbledhje me gasronomët e Prishtinës. Të mërkurën e kemi një mbledhje me të gjithë gastronomët e Kosovës. Do të jenë përfaqësuesit e 23 komunave të Kosovës dhe e marrim vendimin e ri, dalim me një deklaratë. Zgjidhja më e mirë kish me qenë me e bë një pako të re të rimëkëmbjes edhe me ju ndihmu bizneseve se janë në hall të gjitha. P.sh. nëse dikush e ka një punëtor me pagë 300 euro, me i marrë përsipër shteti 100 euro ose 150 që me pasë lehtësime, për shkak se na kanë vu sanksione. Ne jemi duke ju përmbajtur atyre sanksioneve. Po dalin në kontrollë, po i shohin krejt, kështu që duhet pakëz me na përkrah sepse nuk jemi duke punu me kapacitet të plotë”, ka thënë ai.
Kllokoqi ka treguar se në kërkesat e gastronomëve do të përfshihet edhe ajo për zgjatjen e orarit të punës, nga deri në 22:30 siç është aktualisht, në 23:30 ose 00:00. Ai ka theksuar se kërkesa e parë mbetet krijimi i një pakoje që u del në ndihmë bizneseve të këtij sektori.
“Të mërkurën vijnë përfaqësuesit e bizneseve të gastronomisë nga tërë Kosova në Odën Ekonomike dhe tregojnë. Numër një, synimi është që me e kriju një pako të re të rimëkëmbjes sa më shpejt. Njëherë për njëherë kjo është kërkesa kryesore, por kuptohet që ka me pasë kërkesë edhe për rritje të orarit. Meqenëse po i kontrollojnë dhe po i mbyllin lokalet që nuk po i respektojnë masat, s’është e nevojshme me qenë orari deri në 22:30, mundet me qenë deri në 00:00. Ose të paktën deri në 23:30”.
Këto kërkesa, Kllokoqi ka thënë se po refuzohen edhe të dëgjohen nga zyrtarët e Qeverisë. Ai ka thënë se nuk po mund as të kontaktojë me anëtarët e kabinetit qeveritar për ta diskutuar zgjidhjen.
“As telefonin s’po ma hapin. U myta duke ju shkru. Po ju kërkoj takim, po i thirri, po… Krejt doktora janë bë, kush me ekonomi s’merret. Unë jam për me u marrë me raste e spital, mirëpo hajde flasim diçka edhe për ekonomi, se erdhi shtatori”, është shprehur kryetari i gastronomëve.
Kllokoqi po kërkon zgjidhje nga Qeveria edhe për ndryshimin e vendimit që bizneset e gastronomisë të punojnë vetëm në tarraca, duke rikujtuar se kjo do të jetë e pamundur në muajt në vijim.
“Çfarë do të bëjmë ne kur të ftohet koha, në shtator, tetor? Ky është problemi. Kur vjen dimri, ftohti, nuk mund të punojmë në tarraca, detyrohen me i mshelë. 80-90% i mshelin. Kështu që jemi duke kërku zgjidhje nga Qeveria për muajt në vijim”, ka thënë Kllokoqi.
Në fund të korrikut, Qeveria kishte marrë vendim që t’u zgjatet për një orë e gjysmë orari i funksionimit të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (restorantet, kafiteritë, klubet e natës dhe të ngjashme). Atyre ishte vendosur t’u ndalohet funksionimi nga ora 22:30 deri në 05:00 në gjithë territorin e Kosovës.
Jashtë këtij orari, ata mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metra hapësirë ndërmjet tavolinave si dhe me shërbimet take-away (merre me vete), thotë vendimi. /Gazeta Sinjali