Sot pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit. Tashmë deputetëve iu ka shkuar edhe mesazhi për të marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk kanë informacione nëse sot do të mbahet seanca ku do të hidhet në votim zgjedhja e presidentit.
Por se a do të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi për KP thotë se nuk mund të flas mbi hipoteza dhe pa diçka korrekte meqë ende nuk kanë informacione rreth seancës.
I pyetur se në rast se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes tërhiqet nga iniciativa për ndryshime të shpejta në Ligjin për Zgjedhje për çka u la të nënkuptohet edhe në komunikatën e ushtruesit të detyrës së presidentit Glauk Konjufca, Gashi thotë se asgjë nuk shkon nëpërmjet komunikatave.
Porse a do të marrë apo jo pjesë LDK në seancë kur të votohet presidentja do të diskutohet në LDK pasi gjithçka të bëhet zyrtare nga Kuvendit rreth seancës.
“Nuk kam informacion për seancë. Nuk funksionojnë këto punë përmes komunikatave të njërës palë pa marrëveshja të palës tjetër. Kur të bëhet fakt do ta shiqojmë dhe të shohim”, ka thënë Gashi.
Pas tensioneve të krijuara gjatë gjithë së premtes, të shtunën ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca, takoi kryeministrin Albin Kurtin dhe pretendenten për presidente, Vjosa Osmani, ku janë marrë vesh që mazhoranca të garantojë të mos bëjë veprime pa u konsultuar me opozitën, e që opozita të mos e bojkotojë procesin e zgjedhjes së presidentit, me qëllim të shmanget shkuarja në zgjedhje.
Të premten Vetëvendosje tentoi që ta votoj ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje për çka u pa si shantazh i Kryeministrit Albin Kurti për ta çuar vendin në zgjedhje.