image Gashi: Nuk do jemi zgjatim i Qeverisë së Kurtit, të paktën jo sa të jem shef i Grupit Parlamentar të LDK-së

Politikë

Gashi: Nuk do jemi zgjatim i Qeverisë së Kurtit, të paktën jo sa të jem shef i Grupit Parlamentar të LDK-së

news image

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, është shprehur se nuk do të shërbejnë si “zgjatim” i Qeverisë Kurti 2 derisa ai është në këtë pozitë në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Gashi tha se nuk janë të interesuar që t’i gjuajnë me gur e gazlotsjellës Lëvizjen Vetëvendosje, por që LDK do ta bëjë opozitën karshi premtimeve të kryeministrit Kurti.

“Ajo që është e rëndësishme është se do të jemi opozitë e vendosur. Kjo mjafton. Do ta luajmë rolin tonë vendimtar. Do të presim për atë 100-ditëshin e famshëm për ta vlerësuar punën e qeverisë. Por, duhet ta dini, ne nuk do të përdorim gaz lotsjellës apo mjete të tjera të dhunshme, siç ka bërë Vetëvendosje”, ka thënë Gashi në RTV Dukagjini.

Po ashtu, Gashi tha se i pari i Qeverisë, Albin Kurti, është i dënuar për vepër penale për dhunë në Kuvendin e Kosovës.

“Z.Kurti është person me precedent penal. Pra është person i dënuar për vepër penale, për aktivitetin e dhunës që e ka shkaktuar në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë Kuvendit të Kosovës. Kjo është fakt. Po ashtu është fakt që Kuvendi i Kosovës dhe qeveria e kaluar kanë ra sepse një deputet ka qenë i dënuar për vepër penale. Pra kemi dy modele të ndryshme. Kuvendi dhe qeveria kanë ra pasi një deputet që ka votuar për qeverinë ka qenë i dënuar për vepër penale ndërkohë që sot i pari i qeverisë, i cili në bazë të vendimit të qeverisë nuk i është lejuar që të jetë njëri prej 120 deputetëve do të jetë i pari që ulet aty. Vepra penale e tij akoma nuk ka përfunduar”, tha ndër të tjera Gashi.

Sipas Gashit, LDK nuk do e dërgojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, duke respektuar kështu vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

“Kemi vendosur të mos e dërgojmë rastin në Gjykatën Kushtetuese sepse kemi vendosur që të respektojmë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Qytetarët e Kosovës kur e kanë votuar e kanë ditur se është me vepër penale . Nëse dikush tjetër e çon në Gjykatë Kushtetuese është çështje e tyre, nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim se s’mund të jetë kryeministër prapë ne do ta respektojmë por ne jemi këtu për të bërë një opozitë të fuqishme, një opozitë e cila do ta parandalojë çdo rrezik për Kosovën dhe normalisht se do ta përgëzojmë për çdo të mirë që e bëjnë”, theksoi ai./Gazeta Sinjali/