Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se ka shumë probleme në procesin e përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, duke bërë thirrje që në këtë pozitë duhet emëruar dikush që nuk i takon politikës, shkruan Gazeta Sinjali.
“Problemet që janë vërejtur në këtë process janë të shumta, prej atyre procedural deri të ato përmbajtësore. Sa i përket atyre procedurale, ka ndodhë që është prish një traditë shumëvjeçare e Kuvendit ku janë formuar grupe punuese që kanë intervistuar kandidatët, kanë përzgjedhur dhe i kanë rekomanduar kandidatët vetes dhe tash vet duan t’ia propozojnë Kuvendit“, tha Gashi.
Arben Gashi tha se në krye të Agjencisë për Informim dhe Privatësi duhet dikush që nuk i takon asnjë partie politike.
“Kandidatët që janë përzgjedhë janë kandidatë për të cilët ka vërejtje të shumta edhe nga shoqëria civile. Duke pasur parasysh që ky institucion është i rëndësisë së veçantë, mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që në këtë pozitë të kemi kandidatë jopolitikë”, tha Gashi.
Gashi ka kritikuar VV-në se duan të vendosin në këtë pozitë njeriun e tyre.